Deputetët e AAK-së nënshkruan kodin etik
Prishtinë, 15 dhjetor - Sot, në ambientet e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj dhe deputetët tjerë të AAK-së, në një takim ku ishin prezentë edhe përfaqësues të organizatave joeveritare, të cilat e monitoriojnë punën e Kuvendit dhe që janë partner të Kuvendit, KDI e NDI, kanë bërë nënshkrimin e Kodit Etik.
Qëllimi i këtij nënshkrimi është rritja e transparencës dhe llogaridhënies përballë zgjedhësve të tyre dhe mbarë qytetarëve të Kosovës.
Kodi Etik bazohet në ligjet e Kosovës në fuqi, dhe nëpërmjet tij deputetët e parlamentit nga radhët e AAK-së, pranojnë se janë në një pozicion unik të të qenurit përgjegjës ndaj elektoratit.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi me këtë rast, tha: Deputetët e Grupit Parlamentar të AAK-së, sot me nënshkrimin e këtij Kodi po kontribuojnë në rritjen e transparences dhe llogaridhënies. Me këtë KOD po tentojmë që të avancojmë demokracinë dhe llogaridhënien përballë qytetarëve dhe për këtë zotohemi si grup parlamentar.
Ky dokument është në përputhje të plotë me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.