Deputetë nga Parlamenti i Bavarisë vizitojnë KDI-në
Prishtinë, 28 qershor - Anëtarë të Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa në Parlamentin Shtetëror të Bavarisë vizituan sot Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), për të parë nga afër punën e KDI-së në raport me demokratizimin dhe praktikat parlamentare, monitorimin e zgjedhjeve, luftën kundër korrupsionit, procesin e dialogut si dhe projektet që lidhen me të rinjtë.
\"Përfaqësuesit e KDI-së shpjeguan para delegacionit bavarez angazhimin e shoqërisë civile në Kosovë për zhvillimin e demokracisë, ndikimin në rritjen e transparencës, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së institucioneve qeveritare dhe Kuvendit me qëllim të përmirësimit të efikasitetit të këtyre institucioneve\", thuhet në një komunikatë të KDI-së.
Deputetët bavarez vlerësuan lart punën e KDI-së dhe angazhimin e shoqërisë civile në përgjithësi në Kosovë në demokratizimin e vendit. \"Ata shprehën interes të dinë më tepër lidhur me angazhimin e KDI-së nëpërmjet pesë programeve me theks të veçantë për projektet që lidhen me të rinjtë\", thuhet në komunikatë.
Po ashtu, bëhet e ditur se delegacioni nga Parliamenti baravez shprehën gatishmërinë e tyre për të shkëmbyer përvojat dhe për të bashkëpunuar në forcimin e mëtejmë të sektorit të shoqërisë civile në Kosovë.