Deputetë me arrest shtëpiak të opozitës lejohen në seancë
Prishtinë, 26 shkurt - Deputetët e opozitës së bashkuar Donika Kadaj Bujupi, Albulena Haxhiu, Besa Baftiu dhe Pal Lekaj do të lejohen që të jenë të pranishëm në seancën e sotme.
Ky është vendimi që ka lëshuar Gjykata Themelore në Prishtinë, pas kërkesës që ka pranuar nga këta deputet.
Gjykata Themelore në Prishtinë Departamenti për Krime të Rënda sot ka pranuar kërkesë nga deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës; Donika Kada-Bujupi, Besa Baftiu, Pal Lekaj dhe Albulena Haxhiu, të cilët janë nën masa të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë për lejimin e tyre që të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës të paraparë të mbahet me datë 26.02.2016 .
Gjykata ka aprovuar kërkesën e këtyre të pandehurve deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ka lejuar që të njëjtit sot të marrin pjesë në këtë seancë.
Policia e Republikës së Kosovës sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë do të kujdeset për përcjelljen e tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
\"Për kohën sa këta deputet qëndrojnë brenda sallës së Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk do të jenë nën mbikëqyrjen e Policisë , kështu që të njëjtit janë absolutisht të lirë në shprehjen e mendimeve dhe veprimeve të tyre brenda fushëveprimit të deputetit\", thuhet në njoftimin e gjykatës.