30 Prill 2024

Dënohet sulmi ndaj Ambasadës së Maqedonisë

Prishtinë, 17 mars - Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka dënuar sulmin ndaj Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Prishtinë.

Përmes një komunikate për media, ministria e konsideroi “tërësisht të papranueshëm dhe në dëm të raporteve miqësore mes dy shteteve” këtë akt “vandal”, ndërsa u bëri thirrje organeve të hetuesisë që “sa më parë të zbardhin rastin dhe të vënë para organeve të drejtësisë kryerësit e këtij akti të ulët”.

“Ministria e punëve të jashtme e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e fuqishëm të institucioneve të shtetit për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Republikën e Maqedonisë”, theksohet në komunikatë.

Bazuar në njoftimet e Policisë së Kosovës, Ambasada e Maqedonisë në Prishtinë ishte sulmuar të premten mbrëma me koktej molotovi.

“Në bazë të informacioneve të para policore dhe kontaktit me zyrtarë të ambasadës maqedonase dyshohet të kenë qenë të përfshirë në rast tre persona të dyshuar me një automjet  ngjyrë e bardhë, e cila dyshohet të ketë qenë e tipit Toyota”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia bëri të ditur se “është duke punuar intensivisht për zbardhjen e rastit dhe është vënë në kërkim të personave të dyshuar”, ndërsa njoftoi se nuk është raportuar për persona të lënduar dhe as për dëme materiale.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e dënon sulmin ndaj Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Prishtinë.

LDK-ja vlerëson se aktet e tilla, pavarësisht nga kush kryhen apo nxiten, në asnjë mënyrë nuk do të mund të ndikojnë në marrëdhëniet e mira që ekzistojnë në mes të dyja vendeve.

LDK-ja konsideron se aktet e tilla kanë për qëllim pikërisht prishjen e këtyre marrëdhënieve, ndaj nuk i shërbejnë së ardhmes dhe prosperitetit të askujt, meqë bien në kundërshtim të plotë me synimet e rajonit për integrimet euroatlantike.

LDK-ja kërkon nga institucionet përgjegjëse ta hetojnë këtë rast dhe shkaktarët sa më parë të nxirren para drejtësisë.
 
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e dënon sulmin e mbrëmshëm ndaj Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Kosovë.

AAK vlerëson se incidente të tilla synojnë të dëmtojnë marrëdhëniet midis dy vendeve tona.

Për AAK-në fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi ndërshtetëror midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë është me interes të veçantë.

AAK kërkon nga organet e rendit që sa më shpejtë t’i identifikojnë dhe t’i nxjerrin para drejtësisë autorët e kësaj vepre. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)