Demolli: Reforma zgjedhore të kthehet në Kuvend
Prishtinë, 3 maj - Ish-kryetari i Komisionit për Ndryshimin e Ligjit Zgjedhor, Haki Demolli, ka deklaruar se çështja e reformës zgjedhore duhet të kthehet në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht diskutimeve dhe takimeve të liderëve të partive politike lidhur me këtë çështje.
Në një intervistë për Epokën e re, Demolli ka propozuar dy variante për përfundimin me sukses të reformës zgjedhore: Varianti i parë është që ky grup joformal (liderët e partive politike) ti propozojë Kuvendit të Kosovës që çështja e reformës zgjedhore të kalojë në ndonjërin prej komisioneve parlamentare funksionale.\"
\"Varianti i dytë do të ishte themelimi i një komisioni të ri ad-hoc. Se a do të ketë strukturë të njëjtë ky komision me atë të mëhershmin nuk është me rëndësi, është shprehur Demolli.
Duke folur për zvarritjen e reformës zgjedhore, Demolli ka vlerësuar se një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të dialogut politik në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Në të njëjtën kohë me reformën zgjedhore janë zhvilluar negociatat në Bruksel, ku pjesëmarrës ka qenë kryeministri i vendit, i cili ka qenë edhe anëtar i debatit për reformën zgjedhore. Prandaj ngjarjet ndërkombëtare që janë zhvilluar për Kosovën kanë lënë nën hije edhe çështjen e reformës zgjedhore, është shprehur Demolli.
Deputeti i LDK-së nuk ka shprehur optimizëm se reforma zgjedhore mund të përfundojë këtë vit. E gjithë kjo punë varet nga vullneti i subjekteve politike, ka deklaruar Demolli.