Demolli kërkon marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombtar
Prishtinë, 12 tetor - Ministri i Drejtësisë, Haki Demolli, priti në një takim punë, Maryvonne Caillibotte, drejtoresh e Departamentit për Çështje Penale, në Ministrinë e Drejtësisë së Francës.
Në këtë takim, u bisedua për fushat ku Ministria e Drejtësisë së Kosovës dhe ajo e Francës mund të bashkëpunojnë. Sipas tyre, edhe pse struktura organizative e këtyre dy ministrive dallon, qëllimet janë të njëjta.
Ata thanë së ka shumë fusha ku dy ministritë mund të bashkëpunojnë dhe të shkëmbejnë përvojat e tyre, me qëllim të ngritjes së efikasitetit në luftë kundër krimit të organizuar.
Ministri Demolli kërkoi nga drejtoresha Caillibotte, që Ministria e Drejtësisë e Kosovës dhe ajo e Francës, të fillojnë bisedimet për lidhjen e marrëveshjeve për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, në çështje penale dhe civile.
Në anën tjetër, drejtoresha Caillibotte, pasi vlerësoi si shumë të rëndësishme lidhjen e këtyre marrëveshjeve, premtoi angazhimin e saj që marrëveshjet të konkretizohen sa më parë.
Ministri Demolli dhe drejtoresha Caillibotte, u pajtuan që bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave të ketë edhe në mes të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar të Kosovës dhe asaj të Francës.