Demolli ende s'ka vendosur të garojë për kryetar të LDK-së
Ai në një intervistë për Bota press ka thënë se preokupimi i tij është që ta heqim qafe PDK-në ndërsa për zgjedhjet në LDK do të mendojë pas përfundimit të këtij procesi institucional.
I pyetur nëse do të merrte propozimin e degës për kandidim për kryetar a do ta pranonte sfidën, Demolli është përgjigjur: Si deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, aktualisht jam i preokupuar me konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, me dëshirë që rezultati përfundimtar i tërë këtij procesi të jetë, largimi i PDK-së nga Qeveria e Kosovës, dhe konstituimi i një qeverie, e cila do të largojë mënyrën e qeverisjes korruptive dhe mënjanoj krimin e organizuar nga qarqet qeveritare, që është instaluar dhe bërë praktikë, nga Qeveria e Thaçit që është në largim e sipër.
Prandaj më duhet të them, se tani për tani prioriteti im në rrafshin politik është konstituimi i institucioneve politike shtetërore, kurse zgjedhjet dhe aktivitetet brenda partiake në këtë rrafsh, janë sekondare, që domethënë pasojnë pas përfundimit të këtij procesi.
/botapress/