Demokracia në Veprim ka të angazhuar në terren 1600 vëzhgues
Prishtinë, 1 dhjetor - Koalicioni i OJQ-ve, Demokracia në Veprim është duke monitoruar procesin zgjedhor në raundin e dytë për zgjedhjet lokale për kryetar komunash, në të gjitha ato komuna ku po organizohet procesi i balotazhit.
Ngjashëm si më 3 nëntor, Demokracia në Veprim për monitorimin e këtij procesi ka të angazhuar në terren 1600 vëzhgues si dhe disa ekipe mobile.
Monitoruesit e DnV deri më tani kanë paraqitur të dhënat si në vijim:
Fillimi i rrjedhës së votimit: Të dhënat nga terreni na tregojnë se janë hapur të gjitha qendrat e votimit në gjithë vendin, në përjashtim të disa vendvotimeve të cilat janë hapur me vonesë prej 10 - 30 minutash.
Mbarëvajtja e procesit të votimit:
- Në Gjakovë në shkollën Yll Morina me numër 0202x /08r është evidentuar një rast i fotografimit të votës.
- Po ashtu edhe në shkollën Hasan Prishtina 1909e/04r, dyshohet për një rast të fotografimit të votës.
- Në Prizren në afërsi të shkollave Remzi Ademi dhe 11 Marsi, është raportuar se ka prezencë të materialit propagandues të subjekteve politike. Gjithashtu, raste të prezencës së materialit propagandues janë evidentuar edhe në Ferizaj (Pleshinë) në shkollën 5 dëshmorët e UÇK-së dhe në Varosh në shkollën Visar Dodani, në Mitrovicë (Sitnicë) në shkollën Bedri Gjina dhe Shupkovc në shkollën 1 Maji, si dhe në Vushtrri në shkollën Liria në Zhilivod.
- Në Prizren, në shkollën Fadil Hisari në lagjen Tusuz, para dyerve të kësaj qendre të votimit ka një prezencë të 20-30 personave të cilët qëndrojnë aty në mënyrë të vazhdueshme. Ju bëjmë thirrje institucioneve kompetente që personat e tillë ti largojë nga ajo hapësirë në mënyrë që të mos paraqesin pengesë dhe ndikim tek votuesit.
- Në Lipjan në qendrën me numër 1305e/02r, një votues ka votuar në mënyrë të hapur duke e bërë publike votën e tij.
- Në Shkollën Fillore Dardania në Prishtinë 1904e/08r, është raportuar se në listën e votuesve mungon faqja e 34 e kësaj liste.
- Gjithashtu në disa vendvotime janë raportuar probleme me lista të votuesve, qoftë me prezencën e personave të vdekur në lista, qoftë me vështirësitë e qytetarëve për ta gjetur emrin në listat e votuesve.
Demokracia në Veprim i bënë të thirrje gjithë votuesve që të dalin në zgjedhje për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike dhe kushtetuese.