Demiri: Largimi i të rinjve nga Kosova, i dëmshëm
Prishtinë, 3 dhjetor - Asambleisti i Partisë së Drejtësisë, në Ferizaj, Visar Demiri, në mbledhjen e Kuvendit Komunal, ka shprehur shqetësimin e tij për largimin e të rinjve ferizajas nga Kosova.
Ai për këtë gjendje të krijuar i ka fajësuar institucionet përkatëse komunale, duke thënë se nuk kanë bërë asgjë për mirëqenien e tyre. Ikjen e të rinjve nga Kosova e ka quajtur të dhimbshme dhe të papranueshme.
\"Largimi i qytetarëve ferizajas, e posaçërisht i të rinjve nga vendi drejt një ëndërre imagjinare e për një jetë më të lumtur në perëndim është një problem që duhet ta brengosë secilin. Ferizaj është konsideruar më herët si kryeqyteti i ekonomisë në Kosovë. Tashmë, ka mbetur një qytet pa perspektivë, ku të rinjtë nuk po munden të punësohen dhe si shpresë të vetme po e shohin largimin. Prandaj, një dukuri e tillë është e dëmshme dhe e papranueshme. duhet të formohet një komision dhe të dalë me zgjidhje konkrete të këtij problemi.
Asambleisti Demiri, po ashtu ka kritikuar edhe drejtorinë e arsimit në këtë komunë, e cila sipas tij, po i përjashton vajzat që bartin shamia nga shkolla, me pretekst që shamia është uniformë fetare.
Ai para kuvendarëve, sqaroi se shamia nuk është uniformë fetare dhe se largimi i vajzave nga shkolla për këtë arsye, është i kundërligjshëm.
\'Shamia me sqarim të Bashkësisë Islame të Kosovës, nuk është uniformë fetare, por është një veshje e zakonshme sipas rregullave islame. Këtë e ka thënë edhe Sabri Bajgora që është edhe kryeimam i Kosovës. Kështu që vendimi i disa drejtorëve për të përjashtuar këto vajza nga shkolla është në kundërshtim me ligjin dhe një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë\", ka thëhë Demiri.
Prandaj, sipas Demirit, ky Udhëzim Administrativ bie ndesh me vet ligjin mbi arsimin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila garanton lirinë dhe shprehjen e manifestimit publik të bindjeve fetare të qytetarëve.