Demarkacioni dhe Asociacioni ia bëjnë gropën Qeverisë
Prishtinë, 8 shtator - Analistët kosovarë potencojnë se ekzekutivi po e rrezikon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës me veprimet e papërgjegjshme që po bën, si dhe marrëveshjet joserioze që po nënshkruan,raporton Gazeta Kosova Sot
Qeveria e Kosovës, respektivisht aktorët kryesor të lidhjes së koalicionit PDKLDK, Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Mustafa dhe kreu i PDK-së Kadri Veseli, edhe pse e tërhoqën më 1 shtator nga rendi i ditës Demarkacionin me Malin e Zi, për shkak të mungesës së deputetëve nga Lista Serbe dhe, siç u tha, disa kushteve të papranueshme, që kanë vendosur ata, ende nuk kanë vendosur kontakte të reja me përfaqësuesit e Listës Serbe, që të kërkojnë prezencën e tyre dhe votimin në seancë plenare të Ligjit për ratifikimin e Demarkacionit në pritje të thirrjes së seancës së radhës, derisa dyshohet që këto bisedime janë duke u zhvilluar me zyrtarët e lartë të shtetit serb, me Aleksandër Vuçiqin apo Ivica Daçiqin.
Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur gjatë ditës së djeshme në pyetjen tonë, nëse është duke u biseduar me deputetët serbë të Listës për këtë çështje apo jo, ose për të treguar me kë po bisedohet, derisa mungesën e kontakteve të kryeministrit Mustafa dhe përfaqësuesve të tjerë të institucioneve të Kosovës me Listën Serbe e ka konfirmuar për \"Kosova Sot\" edhe deputeti Nenad Rashiq.
Ai nuk e përjashton mundësinë që për këtë temë zyrtarët e shtetit ta anashkalojnë qëllimisht Listën Serbe dhe të bisedojnë me kryeministrin e Serbisë ose me delegacionin serb në takimet e Brukselit.
Rashiq ankohet se nuk ka dialog Rashiq tha se ata akoma nuk kanë qëndrim rreth kësaj çështjeje dhe nuk është aspak serioze qasja e anashkalimit të Listës Serbe për këtë temë serioze, që gjendet para Kuvendit të Kosovës dhe vetë partnerëve të koalicionit, pjesë e të cilit është edhe Lista Serbe.
\"Unë nuk jam i informuar dhe e di që nuk ka pasur asnjë takim gjatë kësaj jave. Çka do të thotë se nuk ka asgjë të re nga ajo gjendje që ka qenë më herët. Pra, tregimi i ri është po ai i vjetri. Ata asnjëherë nuk kanë biseduar me neve dhe ajo gjendje është e tillë akoma. Unë mendoj që ndoshta tani zgjidhja më e mirë do të ishte që propozuesi i Projektligjit t\'i organizon, fton dhe bashkon të gjithë partnerët e koalicionit, në këtë rast edhe të Listës Serbe, që të mbahet një takim në të cilin ndoshta edhe mundë të arrihet njëfarë marrëveshje. Unë rrugë tjetër të zgjidhjes përveç dialogut nuk shoh. E dialog për këtë çështje deri më tani nuk kemi pasur dhe kjo ka qenë arsyeja jonë kryesore pse nuk kemi mundur të marrim pjesë edhe ne seancën e kaluar për votim\", tha Rashiq për \"Kosova Sot\".
Sipas tij, debati rreth kësaj çështje më shumë është duke u zhvilluar në medie sesa në nivel zyrtar të partive politike, edhe atyre në koalicion qeverisës, prandaj tha se këtë e sheh si mungesë të përkushtimit edhe të shumicës shqiptare për ta kaluar këtë çështje, prandaj nuk ka asnjë arsye që për dështim të fajësohet dhe akuzohet Lista Serbe.
\"Ne nuk po shohim vullnet dhe përkushtim te shumica shqiptare për kalimin e Demarkacionit. Prandaj, ne si Listë Serbe nuk jemi fajtor për dështimin e votimit\", tha Nenad Rashiq.
Beogradi ndërhyn në mënyrë flagrante Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, tha se tani bisedimet për arritjen e një marrëveshje me Listën Serbe për votimin e Demarkacionit kanë zgjuar shumë çështje tjera, të cilat për publikun e gjere nuk kanë qenë të njohura.
Ai e ka cilësuar shkelje të rëndë kushtetuese anashkalimin e Listës Serbe, që është grup deputetësh në Kuvendin e Kosovës, nga qytetarët e Kosovës, dhe ngritjen e kësaj çështje me zyrtarët e Beogradit si temë negocimi në Bruksel.
\"Është thënë shumë herë që pushteti po bënë bisedime me Beogradin nëpërmjet Brukselit apo drejtpërdrejtë, por nuk është besuar në fakticitetin e tillë. Tash pasi që në Kuvend u tërhoq Projektligji mbi Demarkacionin për Listën Serbe, u pa se Qeveria e Kosovës nuk diskuton me Listën Serbe drejtpërdrejtë, por me Beogradin, në mënyrë që të arrihet tek ndërtimi i koalicionit dhe i votës për Demarkacionin.\"
\"Shkaqet pse Isa Mustafa dhe Qeveria e tij mashtrojnë me deklarata të tilla është shkak i vetë besimit te populli. Ata deklarojnë se bisedohet mbi baza të koalicionit, por në fakt bisedimet zhvillohen me Vuçiqin dhe Daçiqin në Beograd\", tha Kelmendi për \"Kosova Sot\".
Sipas Kelmendit kushtet që duhet të plotësohen për Listës Serbe, për ta votuar Demarkacionin janë ato që ndërlidhen me garancat për të pasur zëvendësdrejtorin në AKI-në e Kosovës, hapjen e operatorit mobil serb në Kosovë dhe ndërtimin e Asociacionit Serb, që, sipas Kelmendit, janë kushte të cilat edhe po realizohen nga ana e pushtetit të Kosovës.
Ai tha se lejimi i ndërhyrjes kaq të madhe të Beogradit në punët e brendshme të Kosovës është një cenim serioz i integritetit dhe sovranitetit të shtetit, për të mos thënë një rikthim i plotë i shtetit serb në Kosovë.
\"Rreziku për Kosovën nga kjo qeveri është i larte. Në fakt të tri këto çështje kanë domethënie të rrezikshme për vendin tonë. Duke u futur në AKI të Kosovës ndonjë person të Listës Serbe, në fakt ke futur vetë Qeverinë e Beogradit në institucionin e Kosovës. \"
\"Ndërsa, me telefoninë mobile serb, ke vënë nën mbikëqyrje të Serbisë gjithë informacionin e vendit tënd. E më e dëmshmja në këtë mes është edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Në fakt, tani komisioni është formuar nga ana e qeverisë \'Mustafa\' për nxjerrjen e statutit për Asociacion. Më 01 shtator në Ministrinë e Pushtetit Lokal është formuar komisioni. Pritet që edhe ky kusht të plotësohet dhe të nënshkruhet nga qeveria Mustafa, në mënyrë që Lista Serbe të vijë në Kuvend dhe të votojë Demarkacionin me Malin e Zi\", theksoi ai.
/Kosova Sot/