28 Prill 2024

Demaçi: EULEX-i po ia mban anën Beogradit

Prishtinë, 29 korrik - Simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, ka akuzuar Misionin Evropian në Kosovë - EULEX-in - se po mundohet ta luajë rolin e neutralit, por po ia mban anën Beogradit.

“EULEX-i po përpiqet ta luajë rolin e neutralit në Kosovë, por faktikisht po ia mban anën Beogradit. E kjo është e dëmshme për Kosovën”, ka thënë Demaçi.

Duke i komentuar ngjarjet e fundit në veri të vendit, Demaçi ka përshëndetur veprimin e Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e autoritetit edhe në veri, por e ka konsideruar gabim tërheqjen para kohe të Njësive Speciale të Kosovës nga pika 1 në Jarinje dhe pika 31 në Bërnjak. “Ne shkuam atje, por u tërhoqëm në kohën kur nuk është dashur të tërhiqemi.

Në vend se të dërgohen edhe më shumë forca speciale atje, ne i tërhoqëm edhe ato forca dhe serbët na dogjën pikën. Ne u fshehëm te gjermanët. Erdhën i morën pikat gjermanët, amerikanët dhe francezët e ne mbetëm kurrkund hiç. U bë ajo çfarë kërkoi Serbia, të kthehet gjendja e mëparshme”, ka thënë Demaçi.

Po ashtu, Demaçi ka thënë se qëllimi dhe përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë janë të mira mirëpo, sipas tij, forcat ndërkombëtare nuk i kanë sqaruar hesapet me vetveten dhe janë të gatshme t’i bëjnë lëshime Serbisë, duke bërë tregti me shqiptarët.

Adem Demaçi e ka vlerësuar lart edhe unitetin që po e tregojnë në këtë kohë të gjitha forcat politike në vend. “Institucionet e Kosovës, pozita dhe opozita, po sillen mirë.

Qëllimi është i përbashkët dhe mirë që po pajtohen me njëri-tjetrin në këtë kohë të vështirë për vendin”, ka thënë Demaçi, duke bërë thirrje që sa më shpejt të vendosen rendi dhe ligji në gjithë territorin konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Duhet të tregohemi se jemi shtet i pavarur dhe sovran”, është shprehur Demaçi, duke bërë thirrje të ruhet uniteti i krijuar në mes të subjekteve politike në Kosovë.(Epoka e Re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)