Dell: Të gjitha partitë të përfshira në korrupsion
Prishtinë, 6 prill - Ambasadori amerikan në Kosovë, Christofer Dell ka thënë se korrupsioni tolerohet nga e tërë shoqëria kosovare dhe se partitë, siç shpresohet të ndodhë në demokraci, janë pasqyrim i vet shoqërisë. "Prandaj, unë mendoj se të gjitha partitë janë të përfshira në këtë problem në shkallë të ndryshme.
Këto komente ai i bëri në intervistën për të përditshmen prishtinase, "Kosova Sot".
Mendoj se ky është problem me tërë shoqërinë; ky problem ngërthen shumë individë të ndryshëm në partitë politike, e jo doemos udhëheqësit, theksoi Dell.
Sipas tij, fakti se ligji është në Kuvend dhe partitë nuk po ndërmarrin veprim sugjeron që ajo që kam thënë është shumë e saktë. Të gjitha partitë janë pjesë e problemit, tha Dell.
Ai ka theksuar se gjëja më e rëndësishme, që duhet të ndryshojë në Kosovë, është pritjet e shoqërisë në lidhje me korrupsionin.
Së pari, shoqëria duhet ta marrë përsipër të ndryshojë sjelljen e vet në çdo nivel: prej udhëheqjes e deri te qytetari i rëndomtë. E dyta, qytetarët duhet ta përdorin fuqinë e tyre nëpërmjet votës për ndryshim; ta përdorin atë votë për tu marrë me problemin e korrupsionit. Kështu do të duhej të funksionojë kjo gjë në demokraci, tha Kristofer Dell për të përditshmen Kosova Sot.