02 Maj 2024

Dell: SHBA nuk kërkon nga Kosova diçka që do të dëmtojë sovranitetin

Prishtinë, 23 shkurt - Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, tha të enjten se pajtimi më mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale është në favor të Kosovës, ndërsa kritikoi ashpër kundërshtarët e saj.

Në intervistën dhënë Zërit të Amerikës, Dell ripërsëriti se Shtetet e Bashkuara nuk do të kërkojnë kurrë nga Kosova që të bëjë diçka që do të dëmtojë sovranitetin e saj, pavarësinë apo tërësinë e saj tokësore.  

“Në pikëpamje afatgjate, shënimi (fusnota) do të jetë e tillë në histori. Me fjalë të tjera, nuk është çështja kryesore, është e parëndësishme. Çështja e rëndësishme është se Kosova do të jetë anëtare e organizatave, do ta përfaqësojë vetveten me të drejtën e saj dhe përfaqësuesit e popullit të Kosovës, do të jenë të pranishëm në të gjitha forumet rajonale duke u përkujdesur për interesat e vendit. Rruga nëpër të cilën vendi krijon dhe ndërton sovranitetin nuk është nëpërmjet simboleve. Sigurisht, flamujt janë të mirë, janë të rëndësishëm, na identifikojnë, por sovraniteti i vërtetë bëhet nëpërmjet ushtrimit të tij. Kjo është ajo që Kosova do të përfitojë nëpërmjet kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Dell.

Dell ka thënë se shume skeptikë, shumë të ashtuquajtur intelektualë dhe analistë mendojnë se kjo e kurthon Kosovën në njëfarë getoje në të ardhmen. “Ata e kanë shumë gabim. Ajo që do të ndodhë është se kjo do të hap rrugën e ardhmërisë evropiane të Kosovës, për liberalizimin e vizave, për marrëdhëniet tregtare dhe mbase edhe për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Ju e filluat duke thënë se kjo është marrëveshje historike dhe unë pajtohem. Mendoj se është historike dhe mendoj se i gjithë debati mbi simbolet dhe fusnotat do të shihen në afat më të gjatë si fusnota në rrëfimin kryesor”.

I pyetur të komentojë komentet e kritikëve që thonë se me fusnotë Kosova do të vihet në kurth, do të ngecë duke marrë si shembull Maqedoninë e cila ka ngecur për shkak të shënimit me Greqinë, ndonëse ato nuk kanë telashe territoriale siç ka Kosova me Serbinë, ambasadori Dell ka thënë se Maqedonia ka ngecur për shkak se i ka kushtuar më shumë rëndësi simboleve sesa aspektit praktik.

“Kritikët kanë të drejtë, por për arsye të gabuara, sepse ata e kanë bërë simbolizmin çështje para se ta vënë thelbin. Maqedonia e ka vënë veten në një qoshe prej nga nuk di si të dalë. Nëse Maqedonia nuk do të varej pas çështjes së emrit, sot do të ishte anëtare e NATO-s dhe këtë e dimë të gjithë nga periudha e takimit të NATO-s në Bukuresht disa vjet me parë. Ky është mësim që duhet të merret parasysh nga kritikët”.

“Ju duhet të ecni thelbësisht përpara dhe jo të lini vetveten të rrëmbeheni nga simbolet. Kjo është ajo që mendoj se Lidhja Demokratike e Kosovës po bën gabim historik si parti. Kjo është parti, që në kohën kur drejtohej nga dr. Rugova, ishte pjesë e plotë e të gjitha proceseve që ndihmuan Kosovën të fitojë pavarësinë, përfshirë negociatat në Vjenë dhe pranimin e planit të Ahtisaarit."

"Ajo çka shohim sot është një prapakthim, ku Lidhja Demokratike po e radhitë, për fat të keq, vetveten me partitë që janë antiamerikane dhe antievropiane. Nuk di si ta shpjegoj këtë, përveç që kryetari Mustafa është këshilluar shumë keq nga ish ministri i jashtëm, i cili duket se mendon që duke lënë çështjen e simboleve të ngadhënjejë..., ai di më mirë, ai e di se kjo është një lojë politike për t’i shërbyer partisë si parti në opozitë, sesa të bëhen përpjekje serioze për të punuar për interesat e vendit në tërësi”, ka thënë ndër të tjera ambasadori Dell.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)