Dell: Kryeparlamentari Krasniqi po sfidon komunitetin ndërkombëtar
Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, ambasadori Dell tha se me këtë qëndrim, kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, ka zgjedhur të sfidojë komunitetin ndërkombëtar, të sfidojë miqtë më të mirë të Kosovës në emër të mbrojtjes së një apo dy miqve të tij.
Ai tha se përderisa Krasniqi nuk dëshmon ndjenjë më të lartë të përgjegjesisë për të zgjidhur shumë probleme që ka pasur deri tash, do të jetë e pamundur për Shtetet e Bashkuara që të vazhdojnë të punojnë me të si partner.
Dje, kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, paraqiti para anëtarëve të Kryesisë përgjigjen që i ka kthyer shefit të EULEX-it, Ksavier Bu dë Marnjak, i cili kërkonte heqjen e imunitetit të deputetëve nën hetime.
Ndërkohë kabineti i kryeparlamentarit Krasniqi ka thënë se nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nuk iu ka dërguar letër EULEX-it, në mbledhje është prezantuar vetëm një letër- draft, i cili ka qenë vetëm për Kryesinë.