19 Janar 2025

Delegacioni i Vetëvendosje!-s bën homazhe në Reçak

Reçak, 15 janar -  Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i udhëhequr nga kryetari, Albin Kurti e i përbërë nga deputeti, Rexhep Selimi, kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryetar të Komunës së Shtimes, Enver Ademi, dhe aktivistë të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shtime, sot bënë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak.

Me këtë rast, ata vunë kurorë pranë obeliskut të të rënëve në këtë masakër, si dhe vendosën lule të freskëta tek secila varrezë veç e veç.

Në prononcim e tij, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti tha: “Ne si një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, erdhëm sot këtu në Reçak që t’i bëjmë nderime dëshmorëve dhe martirëve të kombit. Sot janë bërë 15 vjet nga kjo masakër, për të cilën nuk ka drejtësi as Kosova as këta familjarë.

Ne i kemi në mendjet tona ende të freskëta pamjet e 45 kufomave të lara me gjak, dhe gjithashtu nuk i harrojmë as 11 ushtarët e UÇK-së, të cilët ranë duke i mbrojtur trupat e pa jetë të shqiptarëve të Reçakut.

Ata u vranë për shkak se ishin shqiptarë, për shkak se donin të mbeteshin shqiptarë dhe dëshironin të jetonin të lirë në tokën e tyre. Kriminelët e kësaj masakre jo vetëm që janë të lirë, por ata edhe shëtisin lirshëm në Evropë dhe shumë prej tyre kanë pozita të larta shtetërore në Serbi.
 
E di që sot të gjithë shqiptarët e posaçërisht këta familjarë janë shumë të mërzitur.  Mërzia është e pashmangshme edhe pse kanë kaluar 15 vjet. Mirëpo, gjithashtu mërzia nuk është zgjidhje andaj, i falënderohem të gjithë këtyre familjarëve që po mbahen kaq të fortë dhe njëkohësisht them që emrat e dëshmorëve dhe martirëve të kombit nuk harrohen kurrë ashtu sikurse që gjaku i tyre nuk humbet kurrë.
 
Shteti i Kosovës, institucionet dhe populli i Kosovës ju ka borxh shumë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe para së gjithash e mbi të gjitha duhet të respektojnë idealet e tyre në mënyrë që të jemi në nivel të detyrës sonë. Po ia hoqe dëshmorët dhe martirët historisë së popullit tonë, atëherë pak çka në mos asgjë mbetet aty.
 
Ne sot erdhëm që të bëjmë nderime, së pari të gjithë këtyre dëshmorëve dhe martirëve e mandej secilit veç e veç.”


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)