Delegacion nga Amerika Latine vizituan deputetet e Kosovës
Prishtinë, 13 shtator - Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Grupi i Grave Deputete u takua sot me një delegacion të Amerikës Latine, i cili po qëndron në Kosovë me ftesë të Këshillit Britanik.
Ky delegacion i përbërë nga Oscar Bonillo nga Uruguai, znj. Monica Grin nga Brazili dhe Fabian Walter Kovacic nga Argentina, janë profesorë universitetesh dhe gazetarë me ndikim, të ftuar nga Këshilli Britanik, ndërsa do kenë rol lobues për vazhdimin e njohjeve , në veçanti nga ato vende që janë skeptike ndaj pavarësisë se Kosovës.
Në këtë vizitë ata do mbledhin fakte për zhvillimet në vendin tonë, të cilat si pozition paper do të prezantohen në shtetet përkatëse.
Lidhur me punën e Parlamentit, rolin e deputeteve dhe për të arriturat e gruas,delegacionin e njoftoi kryetarja e GGD-ës znj. Sahatqija.
Ajo tha se Kosova siç edhe shihet është një vend normal evropian, që edhe pse ka pasur një të kaluar të rëndë, si pasoj e okupimit e pastaj edhe luftës, sot po ndërton ekonominë dhe ka institucione funksionale demokratike, ligje shumë të mira që respektojnë të drejtat e njeriut dhe po ashtu ka një trend shumë pozitiv sa i përket avancimit të gruas, theksoi ajo.
Flora Brovina foli për rolin, sfidat dhe kontributin e gruas në bërjen e lirisë së Kosovës dhe rolin aktiv që ka sot në të gjithë sektorët e jetës.
Deputetja Donika Kadaj, e cila është anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, foli për rëndësinë e pasqyrimit sa më objektiv të Kosovës në vendet nga ishte delegacioni, ndërsa deputetja Alma Lama foli për ligjet mjaft të avancuara sipas standardeve evropiane.
Monika Grin shpjegoi se në Brazil lëvizjet e grave kanë rol shumë të fuqishëm, kurse Oskar Bonillo nga Uruguaji tha se gjatë luftës kemi pasur shumë informata për Kosovën, por menjëherë pas lufte në vendet tona asgjë nuk është dëgjuar për Kosovën.
Vendet tona nuk e kanë idenë se Kosova është një vend me popullatë të civilizuar, me institucione funksionale e demokratike , me gra shumë të zonja, e jo një vend me botëkuptime fundamentale, prandaj edhe duhet rritur vizitat dhe komunikimin me këto vende.
Ne të gjithë jemi shumë të impresionuar nga ajo që dëgjuam dhe që pamë në Kosovë dhe sigurisht se këto përshtypje do ti bartim edhe në vendet tona, theksoi Grin.
Delegacioni pastaj vizitoi ambientet e Kuvendit, duke pasur rast të takohen me shumë deputete, zëvendëskryeministren Tahiri dhe ministra të Qeverisë së Kosovës.