Delegacion i Bundestagut Gjerman vizitoi Mitrovicën
Mitrovicë, 14 prill - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga nënkryetari Riza Haziri, ka pritur të mërkurën në takim një delegacion të Komisionit të Brendshëm të Bundestagut Gjerman, me të cilët ka biseduar për gjendjen e përgjithshme në Mitrovicë dhe për mundësinë e riatdhesimit të qytetarëve mitrovicas që jetojnë në Gjermani.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka thënë se shtetet perëndimore në përgjithësi si dhe Gjermania në veçanti, ku jetojnë shumë qytetarë kosovarë, prej të cilëve edhe nga Mitrovica duhet të kenë kujdes shumë të madh sa i përket riatdhesimit të tyre. Në këtë kontekst, ai ka përmendur sidomos problemin e qytetarëve mitrovicas që janë duke jetuar në Gjermani, të cilët i kanë pronat në veri të qytetit.
Ai ka sqaruar se qytetarët mitrovicas që jetojnë në perëndim dhe që kanë shtëpitë dhe pronat në veri të qytetit, nëse riatdhesohen do të përballen me probleme të mëdha meqë nuk kanë mundësi të kthehen në shtëpitë dhe banesat e tyre, të cilat janë të uzurpuara. Poashtu ai ceku se me këtë problem janë duke u ballafaquar edhe qytetarët e veriut, të cilët janë duke jetuar në jug të qytetit dhe në pjesët tjera të Kosovës.
Në anën tjetër, kryesuesi i delegacionit të Bundestagut, Gunter Baumann, është interesuar edhe për projektet që kanë të bëjnë me mbylljen e kampeve rome në veri, mandej për krijimin e kushteve për jetë të komunitetit rom në lagjen e tyre në jug, për qështjet e sigurisë, ekonomisë, mandej për raportet ndëretnike etj.
Në lidhje me projektet për kthimin e të zhvendosurve, kryetari Kastrati, përmendi rindërtimin e Lagjes së Romëve. Lagja e Romëve tash është e banueshme. Ka shumë familje që janë kthyer, ndërsa komuna ka ndarë hapësirën e nevojshme dhe së shpejti do të nis edhe faza tjetër e rindërtimit të objekteve për banim me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar. Ai tha se aty përveq ambulancës që ekziston, do të ketë edhe shkolla, qerdhe etj.
Edhe në këtë aspket, kryetari Kastrati ka përmendur problemet për rindërtimin e shtëpive shqiptare në veri. Në anën tjetër, ka theksuar se për serbët janë ofruar të gjitha kushtet që ata të kthehen në jug. Në këtë kontekst, ka përmendur rindërtimin e shtëpive në fshatin Frashër, mandej mbështetjen për transport të këtyre banorëve etj.
Megjithatë ai ka nënvizuar se pjesëtarët e komunitetit serb, të manipuluar nga Beogradi vazhdojnë të mos përfshihen në jetën institucionale të Republikës së Kosovës në veri të vendit. Në këtë drejtim, tha ai, ata vazhdojnë që të jenë refuzues ndaj mundësive që u ofrohen nga këto institucione me qëllim të vetëm që të sabotohet shteti i Kosovës.
Ndërsa sa i përket aspektit ekonomik, kryetari Kastrati, ka thënë se ky është një problem mjaft kompleks, që ndërlidhet edhe me rrethanat politike. Ai ka potencuar se papunësia është e madhe dhe me këtë problem përballen të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë etnike. Si mundësi për zbutjen e këtij problemi, kryetari Kastrati e parë funksionalizimin e kapaciteteve ekzistuese të Trepçës.