22 Janar 2025

Delawie kërkon luftë të përbashkët kundër korrupsionit

Prishtinë, 14 shtator - Ambasadori i Sh.B.A.-ve në Kosovë, Greg Delawie, mbajti fjalim në ceremoninë inauguruese të seminarit “Aspektet Ligjore të Luftës Kundër Korrupsionit” që organizohet nga Zyra për Bashkëpunim Mbrojtës e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë (ODC). Punëtoria mbahet në Hotelin Garden, në Pristinë.

Ambasadori amerikan ka deklaruar se luftimi i korrupsionit është problem për të gjithë dhe se një program i rreptë kundër kësaj dukurie negative do të ishte një lehtësim në identifikimin e veprave të korrupsionit.

“Luftimi i Korrupsionit është sfidë për çdo Qeveri, shpresojmë që trajnimi i sotshëm do ta ndihmojë Kosovën në këtë përpjekje të vështirë, por të domosdoshme. Një program i rreptë kundër korrupsionit krijon mjedisin e tillë ku veprat e korrupsionit identifikohen lehtësisht dhe pastaj ndiqen lehtësisht penalisht”, ka thënë Delawie.

Ambasadori amerikan ka deklaruar se korrupsioni ka një çmim të lartë për shoqërinë dhe shtetin.

Andaj, ai është zotuar se ndër prioritet e tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, do të jetë edhe angazhimi i përbashkët për të luftuar korrupsionin.

\"Kostoja e të qenit i korruptuar do të jetë shumë e lartë. Ky seminar trajton mënyrat se si ju dhe zyrat e juaja mund të ndryshoni gjendjen\", ka thënë Delawie.

Ai ka ftuar pjesëmarrësit në këtë seminar, kryesisht nga institucionet dhe organet kompetente për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar që të hulumtojnë mënyrat më të mira për luftimin e këtyre dukurive negative përmes aspektit ligjor.

\"Përpjekjet kundër korrupsionin janë nga prioritetet e mia kryesore; duke punuar së bashku duhet të sigurojmë që Kosova ka masat ligjore zbatuese të cilat përmbushin standardet më të lartë të Ambasadës Amerikane”, ka thënë ambasadori Delawie.

Punëtoria për aspektet ligjore të luftimit të korrupsionit, i organizuar nga Instituti i Mbrojtjes për Studimet Ndërkombëtare Juridike, trajton çështjet themelore në luftimin e korrupsionit.

Një nga qëllimet kryesore të programit për aspektet ligjore të luftimit të korrupsionit është puna me përfaqësuesit e Ministrisë së FSK-së, Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Ministrisë së Administratës Publike (MPA), Ministrisë së Financave (MF), shtyllës së drejtësisë, Agjencisë Anti-Korrupsion dhe të Bankës Qendrore, rreth një game të temave që ndërlidhen me anti-korrupsion, dhe vazhdon të përforcojë sistemet shtetërore anti-korrupsion.

Pjesëmarrësit e programit e kanë mundësinë që të bashkëpunojnë me ekspertët amerikan të fushave gjegjëse, dhe të njoftohen me praktikat më të mira për luftimin e korrupsionit dhe në fushat tjera me interes, siç janë siguria e kufijve dhe luftëtarët e huaj, shkeljet në qeveri dhe hetimet nga Inspektori Gjeneral, korrupsioni në administratën publike dhe reformat mbarë-qeveritare.

Punëtoria përmban ligjërata të shkurta dhe diskutime, ushtrime individuale dhe në grupe të vogla, si dhe fokusohet në realizimin e reformave dhe zgjidhjeve tjera nga hulumtimet, duke eksploruar mësimet e mësuara nga Shtetet e Bashkuara. 35 pjesëmarrësit nga agjencitë e ndryshme në Kosovë do të punojnë me gjashtë anëtarët e ekipit nga SHBA-ja gjatë seminarit që mbahet nga 14 gjer 18 shtator 2015 në Prishtinë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)