Dega e tretë e LDK-së kujton 70 vjetorin e ish presidentit Rugova
Prishtinë, 2 dhjetor - Dega e Tretë e LDK-së, Dega e Presidentit Rugova, Prishtinë, ka nderuar sot kryetarin e saj shumëvjeçar dhe Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në ditëlindjen e 70, duke bërë homazhe dhe vënë kurora lulesh te varri i tij si dhe vizitë familjes.
Fan Rugova bashkëshortja e ish presidentit shprehu kënaqësinë e saj për nderimet që bëjnë së bashku bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
Ai la veprën dhe punën e tij që do përcillet breza të tërë. 2 dhjetori është ditë e madhe sepse zoti na e fali një njeri si presidentin Rugova, tha ajo.
Ndërsa Arsim Janova kryetar i Degës së Tretë të LDK-së, tha se 70 vjetori i lindjes së presidentit është një moment i gëzueshëm për anëtarësinë e kësaj dege sepse siç tha, është dita kur ne kujtojmë jetën dhe veprën e presidentit tonë. Ai tërë qenien e tij ia kushtoj Kosovës dhe pavarësisë së Kosovës deri në momentin e vdekjes, lirisë dhe demokracisë. Kështu që ne me krenarinë më të madhe e kujtojmë sot presidentin. Kemi ardhur sot të ndajmë së bashku gëzimin tonë për ditëlindjen e tij.
Ai në vijim tha se presidenti për tërë kombin shqiptar është i pavdekshëm.
Po mundohemi aq sa po mundemi ta ndjekim rrugën e presidentit. Çdo hap në jetën e përditshme qoftë politike qoftë të shoqërisë. Kështu që ne edhe njëherë po them me krenarinë më të madhe e përkujtojmë presidentin tonë sepse ka bërë shumë për Kosovën për shtetin tonë. Është ai që krijoi miq në tërë botën. Është ai që bashkoi kombin shqiptar, tha ai.
Kurse Ali Sadriu, deputet i parlamentit të Kosovës vlerësoi figurën e z. Rugova si një yll që orienton njerëz.
Kur hyra poshtë aty gjithherë më përkujton thëniet e Ahmet Sukarna. Ai thotë se gjithherë kam ëndërrua se si do të jetë ambienti kur ta shpallim pavarësinë e Indonezisë. E shpalla me një gazetë, letër me të cilën më parë e kisha mbështjellë bukën. Vendet e vogla bëjnë vepra të mëdha. Ai i ka dhënë impulse botës për ne çfarë duhet të jemi. Ne me zigzage po mundohemi, por shpresoj se sado pak ti përmbahemi këshillave të tij që na ka lënë. Të rrojmë më këshillat e tij deri në fund. Ju krenohuni me të dhe gjithë ne që kemi pas rast me pas punë me të dhe me marr këshilla, tha Sadriu.