Dega e PSD-së në Gjilan shkrihet në AKR
Prishtinë, 12 maj - Dega e Partisë Social Demokrate në Gjilan me të gjitha strukturat e saj, sot ka kaluar në Aleancën për Kosovë të Re.
Mirëseardhje atyre u ka uruar Presidenti i AKR-së, z. Behgjet Pacolli i cili ka pritur udhëheqësinë e degës, e cila konsiderohet më e madhja ndër degët që ka kjo parti.
Dega e PSD-së në Gjilan nga sot ka vendosur ti bashkohet familjes së AKR-së, duke mos e dëmtuar me këtë akt asnjë subjekt politik, por thjeshtë kjo shkrirje në AKR e këtij elektorati ka karakter implementues të synimeve dhe aspiratave të përbashkëta për një shtet të zhvilluar ekonomikisht dhe për një mirëqenie më të mirë sociale- ka thënë Presidenti Pacolli.
Ndërkohë, kryetari i kësaj dege z. Ismet Hajdini tha se sot e tutje të gjitha aktivitetet e degës së PSD-së në Gjilan, do të veprojnë si Aleanca Kosova e Re, dhe se kjo ishte dëshirë edhe e kryesisë, anëtarëve dhe simpatizantëve të tyre.
Ai tha se iu kanë bashkuar AKR-së për shkak të vizionit që ka kjo parti për shtetndërtimin, zhvillimin ekonomik, integrimet evropiane e sfera të tjera.
Me AKR-në na bashkojnë dy gjëra: vizioni për shtet-ndërtim dhe programi politik, sidomos ai për zhvillim ekonomik ka thënë ndërkaq z. Hajdini.
Lideri i AKR-së tha se AKR po zgjerohet vazhdimisht derisa në lista me të cilën do të garojnë në zgjedhjet e qershorit do të jetë me personalitete sic tha ai me duar të pastra. I pyetur nga gazetarët gjatë konferencës për media, z. Pacolli shprehu bindjen se do të jetë përcaktues i partneritetit të ardhshëm qeverisës.