Defunksionalizimi i Qeverisë Mustafa e shpëton Kosovën
Prishtinë, 11 shtator - Dhjetëra vetura të Qeverisë së Kosovës u defunksionalizuan nga aktivistët e VETËVENDOSJE!-s, duke ua shfryrë gomat.
Policia e Kosovës intervenoi me njësitet e saj speciale duke rrahur, lënduar dhe arrestuar aktivistët. Disa nga aktivistët e arrestuar janë: Gëzon Kastrati, Alban Makolli, Erden Atiq, Imer Feja, Uran Hasani, Teuta Hasani, Muhamet Bytyqi, Fatos Sahiti, Kastriot Gërbeshi, Gurjeta Zeka, etj. Disa nga aktivistët e lënduar janë Albana Gashi, Etleva Malushaj, Margaritë Hajrizi, Valon Simnica etj.
Këta pushtetarë duan ta defunksionalizojnë shtetin e Kosovës. Përballë kësaj situate nuk mbetet tjetër veç angazhimit për ta ndaluar këtë.
Ne sot duam të defunksionalizojmë qarkullimin e veturave të qeverisë së Isa Mustafës sepse këtë qeveri, Mustafa po e përdor për ta jetësuar Zajednicën, me gjithë dëmet e rreziqet e saj për shtetin e Kosovës. Mustafa e ka vënë gjithë sistemin shtetëror në funksion të Zajednicës. Edhe policia e gjyqësia janë bërë jashtëzakonisht efektive kur vije puna ti arrestojnë dhe dënojnë kundërshtarët e këtij projekti.
Kosova po rrezikohet nga funksionimi i kësaj qeverie. Këto rreziqe katastrofike ne na bëjnë të lëvizim. Zajednica duhet të ndalohet. E meqë Isa Mustafa e ka lidhur aq pazgjidhshëm qeverinë e tij me këtë projekt të ndarjes etnike të vendit, atëherë e vetmja mënyrë për ta ndalur Zajednicën është defunksionalizimi i Qeverisë Mustafa. Vetëm kështu shpëton Kosova.