Decentralizimi në vend të kantonizimit
Prishtinë, 11 prill - Decentralizmi i Kosovës kishte lindur si ide pas trazirave të marsit 2004. Kabllot diplomatike të ambasadave të SHBA-së të publikuara para pak ditësh në Wikileaks, zbulojnë detaje të zhvillimeve diplomatike pas atyre ngjarjeve dhe rrugëtimit që kishte marrë procesi i definimit të statusit të Kosovës, që deri atëherë nuk po përmendej fare, shkruan Tribuna.
Një vit më vonë, Kosova dhe Serbia filluan një proces negociator në Vjenë. Dallimet mes dy palëve ishin pikërisht mes decentralizimit dhe kantonizimit.
Kosova ofronte kompetenca komunale për komunat me shumicë serbe por pa rrezikuar funksionimin e pushtetit qendror, e Serbia kërkonte kantonizimin e Kosovës, duke bërë që enklavat serbe të shkëputeshin plotësisht nga lidhjet me pushtetin qendror.