Dean: Kosova do të jetë një model për 100 vjetët e ardhshme
Prishtinë, 30 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, u takua sot me Guvernatorin Howard Dean, ish kryetar i DNC-së (Komiteti Kombëtar Demokrat ) dhe ish-kandidat për president në SHBA.
Kryekuvendari Krasniqi fillimisht foli për situatën politike dhe gjendjen e sigurisë në vend, duke e vlerësuar si mjaft të mirë.
Ndërsa, duke folur rreth zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar ai theksoi se mbi bazën e rezultatit të këtyre zgjedhjeve është bërë konstituimi i institucioneve të vendit të cilat janë duke i kryer detyrat që i përcakton kushtetuta dhe ligji.
Krasniqi njoftoi Guvernatorin Howard Dean lidhur me formimin e komisioneve për ndryshimet kushtetuese dhe reformë zgjedhore.
\"Jemi duke bërë ndryshime Kushtetuese sa i përket zgjedhjes së Presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët dhe kemi filluar ndryshimet në sistemin zgjedhor. Kemi formuar dy komisione Ad-Hoc për ndryshimet kushtetuese dhe reformë zgjedhore. Besojmë se do tia arrijmë qëllimit, theksoi Krasniqi.
Ai sqaroi tutje se lidhur me këtë është duke u bashkëpunuar edhe me faktorët e jashtëm, duke përmendur veçanërisht bashkëpunimin me NDI-në.
Guvernatori Howard Dean duke përgëzuar Kryekuvendarin Krasniqi dhe NDI-në, për punën dhe angazhimet e gjertanishme, tha se bashkëpunimi me Parlamentin e Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Më tej ai duke uruar për rizgjedhjen në postin e Kryetarit të Kuvendit, tha se Kosova do të jetë një model për 100 vjetët e ardhshme, falë punës së suksesshme të institucioneve të vendit.
Duke përshëndetur edhe formimin e komisioneve për ndryshimet kushtetuese dhe reformë zgjedhore, Dean uroi për punën e komisioneve, ndërsa përgëzoi vendin për lidership, që sipas tij janë të gatshëm të zgjidhin çdo problem.
Energjia e njerëzve këtu është e jashtëzakonshme. Ju përgëzojmë për atë që po bëni, në mënyrë që vendi të jetë sa më i suksesshëm, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, z. Krasniqi tha se institucionet e vendit po përpiqen që ti kryejmë detyrat e tyre, duke falenderuar në veçanti NDI-në për mbështetjen në kontinuitet, si dhe mbështetjen e madhe që vendi ka pasur dhe vazhdon ta ketë nga SHBA-të.
Gjatë këtij takimi Guvernatori Howard Dean është informuar edhe rreth gjendjes së sistemit elektronik në Parlamentin e Kosovës, për të cilën kryekuvendari Krasniqi tha se edhe më tej nevojitet avansimi i teknologjisë më moderne, ndërsa sqaroi se puna në Kuvendin e Kosovës është transparente.
Po ashtu, u diskutua edhe për ndihmën dhe bashkëpunimin që Kuvendi i Kosovës do ta ketë në të ardhmen, me theks të veçantë në procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe reformës zgjedhore, nga NDI-ja.