Dean i impresionuar me rolin e grave politikane të Kosovës
Prishtinë, 1 qershor - Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës kishte sot një takim me ish-kandidatin për president të të SHBA-së,aktualisht, anëtar i Bordit të Drejtorëve të NDI, Howard Dean.
Kryetarja e GGD ës, znj. Teuta Sahatqija njoftoi guvernatorin për punën e deputeteve në Kuvendin e Kosovës dhe angazhimin gruas në politikë.
Gratë në pozitat vendimmarrëse, jo vetëm që janë shembull për t i inkurajuar gratë për të marrë më shumë rol në udhëheqje dhe politikë, por janë edhe shembull se si politika merret me çështjet jetike të qytetarit.
Ne në Kuvendin e Kosovës kemi hartuar shumë instrumente, si: Ligjin për Barazi Gjinore, Ligjin për Zgjedhje, ndërsa shumicën e ligjeve i trajtojmë nga perspektiva gjinore.
Ne po ashtu zhvillojmë aktivitete të dobishme në interes të gruas, fëmijëve dhe qytetarëve në përgjithësi dhe aktualisht jemi në zhvillim të projektit për blerjen e mamografit mobil. Po përpiqemi që vendi ynë të zërë vend të merituar në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Për ketë na nevojitet ende përkrahje e fuqishme e miqve tanë e veçanërisht e SHBA-së, theksoi znj. Sahatqija.
Howard Dean u shpreh i impresionuar me rolin e grave politikane të Kosovës, dhe veçanërisht deputeteve, përkatësisht GGD-ës.
Ju jeni shembull për model, pasi në Grupin tuaj përfshini gratë e të gjitha partive dhe të gjitha nacionaliteteve.
Ai përgëzoi deputetet për rolin e tyre në ngritjen dhe zhvillimin e demokracisë.
Për ne në SHBA puna juaj na është e njohur. Ju duhet të vazhdoni që të rritni rolin tuaj në politikat e shtetit. Kosova ka bërë përparime në demokratizim, sidomos me përfshirjen e gruas në institucione, por duhet bërë akoma më shumë.
Këtu rol të madh keni edhe Ju deputetet. Ju duhet ta ndihmoni proceset integruese të Kosovës, të ngritni zërin kundër dukurive që dëmtojnë të ardhmen e Kosovës, sidomos kundër korrupsionit etj, tha Dean.
Flora Brovina tha se deputetet po bëjnë çka është e mundur për të rritur rolin e gruas duke i përkrahur ato për të zënë edhe poste të rëndësishme shoqërore.
Në këtë vështrim gjithnjë e më shumë edhe burrat përkrahin kërkesat dhe iniciativavt e këtij grupi.
Sot, tha Brovina, nga 5 kandidatë për Gjykatën Kushtetuese votat e deputetëve i mori vetëm një zonjë.
Suzan Novobërdali, e cila udhëheq Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, të Pagjetur dhe Peticione foli për angazhimet e këtij Komisoioni.
Ndërkaq Alma Lama shprehu mirënjohje për kontributin e NDI-së në Kosovë. Në takim ishte prezente edhe drejtorja e NDI-së në Kosovë, znj. Laura Nikolls, si dhe menaxherja Afërdita Syla.