Daviet ka qenë një mbështetëse e madhe e Kosovës
Prishtinë, 14 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, priti në takim lamtumirës ambasadoren e Francës në Kosovë, Maryse Daviet.
Me këtë rast, ministri Hoxhaj tha se ambasadorja Maryse Daviet ka qenë një mbështetëse e madhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe në institucione multilaterale.
Shembulli më interesant është anëtarësimi i Kosovës në Frankofoni, që pas OKB-së është organizata më e madhe në botë. Pa mbështetjen e zonjës ambasadore Daviet, ne e kemi pasur të pamundur që të jemi anëtar. Kështu që ajo është një mike e madhe e Kosovës, dhe edhe pse do të largohet, ajo përherë do të mbetet në mendjet tona, theksoi ministri Hoxhaj.
Ambasadorja Maryse Daviet nga ana e saj e falënderoi ministrin Hoxhaj, duke shtuar se Kosova është në rrugë të mirë drejt integrimeve evropiane dhe, gjithashtu, ajo tha se edhe pasardhësi i saj do ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj integruese.
Unë jam diplomate dhe nuk dua të lëshohem në çështje politike, por ju duhet ta doni flamurin tuaj dhe të vazhdoni të mburreni me sportistët tuaj si Majlinda Kelmendi dhe për arritjet e saj e po ashtu edhe përfaqësuesen e futbollit dhe duke e bërë Kosovën njëherësh multietnike dhe multikulturore, tha ambasadorja Daviet.