Data e saktë e zgjedhjeve dihet sot
Prishtinë, 15 tetor - Ushtruesi i Detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se sot do të dihet data përfundimtare e mbajtjes së zgjedhjeve nacionale dhe në komunën e Rahovecit.
Sot e kemi edhe një takim me partitë politike dhe është gati afati i fundit që ne duhet ti caktojmë dy data, datën për zgjedhje në komunën e Rahovecit dhe datën për zgjedhjet e përgjithshme që duhet të mbahen në muajin shkurt. Data e saktë do të dihet sot.
Mësohet se data e mbajtjes së zgjedhjeve nacionale është 12 ose 13 shkurti i vitit 2011.
Ndërsa, i pyetur rreth kërkesës për interpretim nëse kryerja e detyrës së ushtruesit të detyrës së Presidentit dhe mbajtja e postit të sekretarit të përgjithshëm të PDK-së paraqet shkelje ligjore, U.D i Presidentit, Jakup Krasniqi u përgjigj:
Unë kërkesën e kam bërë dhe pres përgjigje, edhe pse Kushtetuta thotë qartë se pasi të zgjidhet Presidenti ka obligim të japë dorëheqje nga pozitat e tjera. Unë nuk jam President i zgjedhur, megjithatë unë do ta respektoj mendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.