Darka e Lamës, bën bashkë liderët
Prishtinë, 18 tetor - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në manifestimin Darka e Lamës, që sivjet organizohet në Gjakovë, ka deklaruar se Darka e Lamës, simbolizon festën e gëzimit të njeriut që i ka përfunduar të gjitha punët e motmotit, duke sjellë mbi të gjitha gëzimin për bereqetin e tokës sonë.
Darka e Lamës, një manifestim i lashtë tradicional i popullit tonë që sivjet organizohet në Gjakovë, në Lamën e Drithit, e simbolizon festën e gëzimit të njeriut që i ka përfunduar të gjitha punët e motmotit, duke sjellë mbi të gjitha gëzimin për bereqetin e tokës sonë, ka theksuar ajo.
Sipas saj në këtë ditë i falënderohemi Zotit për të gjitha të mirat që na i ka sjellë, e nderojmë punën dhe angazhimin e bujkut, për prodhim cilësor dhe të bollshëm, dhe mblidhemi të gjithë rreth sofrës tonë të përbashkët, duke paraqitur secila shtëpi prodhimet më të mira që i ka dhe duke i ndarë bashkërisht me të tjerët. Darka e Lamës është një festë gëzimi, sepse është siguruar buka e motmotit, është një festë e begatisë dhe e të mirave, që na i ka falë natyra, është një festë solidariteti dhe e punës së përbashkët të njerëzve që ndihmojnë njëri tjetrin, ka theksuar ajo.
Jahjaga, ka theksuar se duhet të shtojmë përpjekjet dhe angazhimin që ti dalim zotë kësaj toke, duke bashkëpunuar dhe duke gjetur rrugën më të mirë për ndërtimin e institucioneve të përgjegjshme, të qëndrueshme dhe demokratike, për të çuar përpara vendin, për prosperitet, zhvillim e mirëqenie. Duke ruajtur traditat tona më të mira të dëshmojmë urtësi e dinjitet, të përjetësojmë idealet e të gjithë brezave që e deshën Kosovën vend të lirë e demokratik në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vend anëtar të Bashkimit Evropian dhe i NATO-s, ka deklaruar ajo.
Në manifestimin e mbajtur ne Gjakovë, kanë marrë pjesë edhe kryeministri Thaçi, liderët e partive politike, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj, kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari, etj