Dalja e kosovarëve nga izolimi nuk ka ende datë
Prishtinë, 20 prill - Në seancën e jashtëzakonshme për Raportin e Bashkimit Evropian për Kosovë, Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se dalja e kosovarëve nga izolimi nuk ka ende datë.
Hoti ka thënë se në Raportin e Progresit për Kosovën theksohet mungesa e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, mungesa e reformave në drejtësi dhe administratë publike, informaliteti i lartë në ekonomi, shkelje e të drejtave të njeriut, si dhe shumë çështje tjera jetike për vendin.
Raporti sipas tij e qartëson se Qeveria e Kosovës, nga Shtatori 2017, nuk ka dërguar asnjë sinjal bindës në Bruksel se është serioze të kryejë obligimet që i ka shteti i Kosovës.
Si rezultat i kësaj Hoti konsideron se dalja e kosovarëve nga izolimi nuk ka ende datë.
"Përderisa raporti i vitit 2016 përmend polarizimin në mes qeverisë dhe opozitës, që është normale, raporti i fundit vë në dukje polarizimin brenda vetë koalicionit dhe brishtësinë e koalicionit, i cili tani ka humbur edhe shumicën e thjeshtë."
"Kjo brishtësi i ka pamundësuar koalicionit qeverisës ndërtimin e një konsensusi të përgjithshëm për agjendën evropiane dhe çështjet e tjera jetike për vendin", ka theksuar Hoti.
Raporti po ashtu sipas tij thekson tendencën e institucioneve të Kosovës për t’ju ikur obligimeve ndërkombëtare.
I vetmi sukses është Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, i cili u përmbush falë angazhimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Raporti thekson se Qeveria ka dështuar të adresojë rekomandimet e dhëna në raportin e vitti 2016, që tregon seriozitetin përballë obligimeve ndërkombëtare.
Në mënyrë të vazhdueshme Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vënë në dukje mosfunksionimin e Kuvendit të Kosovës dhe të Qeverisë.
"Tani kjo vërtetohet në këtë raport. Për punën e Kuvendin theksohet se është përcjellur me mungesë të shpeshtë të kuorumit, përfshi këtu edhe lidershipin, mos respektim të proceduarve,e mungesë të debatit konstruktiv dhe mos konsultim i të gjithë akterëve lidhur me ligjet e rëndësisë së veçantë."
"E njëjta situatë paraqitet edhe tek raportimi lidhur me punën e Qeverisë, ku vihen në dukje madhësia e Kabinetit Qeveritar, me mbi 70 zëvendësministra, dhe mos paraqitja e Kabinetit Qeveritar në seanca plenare, duke mos dhënë llogari për punën e tyre", ka shtuar me tutje Hoti.
Sa i përket sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, përveç integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serb në sistemin e drejtësisë kosovare, gjë e cila ka ndodhur në fillim të vitit 2017, nuk përmendet ndonjë përparim i dukshëm sa i përket përmbushjes së kritereve të cilat lidhen me reformat në drejtësi.
Vihet në dukje vonesa në miratimin e pakos së ligjeve që i përkasin fushës së drejtësisë si dhe brishtësia e sistemit gjyqësor të Kosovës përballë ndikimeve politike.
Fatkeqësisht në raport përmendet edhe vendimi i fundit për dëbimin e shtetasve turq pa përfillur asnjë procedurë.
Hoti vlerëson se lufta kundër korrupsionit mbetet akoma sfida më e madhe e institucioneve të Kosovës. Për më tepër, në raport theksohet se korrupsioni mbetet akoma i përhapur në shumë fusha dhe se efikasitetit i hetimeve vazhdon të pengohet nga politika.