Daka: Zgjedhjet, në fund të shkurtit
Prishtinë, 14 janar - Zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës veriore do të përsëriten për shkak se kryetari i zgjedhur i kësaj komune, Kërstimir Pantiq, ka dështuar ta japë betimin para anëtarëve të Kuvendit të Komunës.
Ky është vlerësimi i MAPL-së me rastin e përfundimit të vlerësimit të ligjshmërisë për seancat inauguruese të mbajtura në komunën e Leposaviqit, Mitrovicës veriore, Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se është në kompetencën e presidentes Atifete Jahjaga shpallja e zgjedhjeve të përsëritura në Mitrovicën veriore. Mirëpo ajo ka thënë se, duke i pasur parasysh afatet ligjore, zgjedhjet në këtë komunë pritet të mbahen kah fundi i muajit shkurt.
Është në kompetencën e presidentes Jahjaga ta shpallë datën e zgjedhjeve të përsëritura në Mitrovicën veriore, por duke i marrë parasysh afatet ligjore besoj se kah fundi i shkurtit do të mbahen zgjedhjet.
Pra, sipas afateve, zgjedhjet e përsëritura duhet të mbahen brenda 30 apo 45 ditëve. KQZ-ja e ka obligim ti mbajë zgjedhjet kur do që ato të mbahen, ka thënë Daka për Epokën e re.
MAPL-ja ka konstatuar që kryetarët e komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë përfunduar me sukses dhënien e betimit dhe që mund të vazhdojnë ta realizojnë mandatin e tyre në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.