Daka: Rezultatet publikohen të enjten
Prishtinë, 21 qershor - Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka paralajmëruar se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 8 qershorit mund të publikohen javën që vjen (të enjten). Ajo ka thënë se nuk ka asnjë vonesë në procesin e numërimit dhe të rinumërimit të votave.
Në këtë intervistë për Epokën e re, ajo ka thënë se mosbesimi i partive politike po e dëmton imazhin e KQZ-së dhe të Kosovës.
Unë i ftoj të gjithë përfaqësuesit e partive politike, analistët dhe të tjerët që po merren këto ditë me KQZ-në, të na lënë të qetë, në mënyrë që ta kryejmë punën tonë. Mos ti predikojnë çështjet sepse KQZ-ja nuk është duke bërë politikë, por pikërisht të tjerët për qëllime të tyre politike e personale janë duke e dëmtuar imazhin e KQZ-së, ka thënë Daka.
Ajo ka thënë se nuk ka asnjë vonesë në procesin e numërimit dhe të rinumërimit të votave dhe se çdo gjë është duke u zhvilluar konform procedurave ligjore.
Nuk ka vonesa fare në këtë proces dhe e gjithë kjo procedurë është normale, pasi është duke u zhvilluar në bazë të ligjit dhe konform procedurave të Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve. Prandaj, dua ta njoftoj opinionin se nuk ka vonesa, përkundrazi kjo është më e shpejta që kemi mundur ta bëjmë. Pra, të gjitha aktivitetet dhe procesi në këtë qendër është bërë me një dinamikë shumë të shpejtë, është shprehur Daka.
Ajo ka paralajmëruar se të enjten KQZ-ja mund të dalë me rezultate përfundimtare.
Këto ditë do të vazhdojë rinumërimi i 439 kutive dhe parashihet që për çdo ditë të rinumërohen nga 80 kuti. Duke u nisur nga kjo përllogaritje, mund të presim që të enjten të dalim me rezultate përfundimtare për zgjedhjet e 8 qershorit. Dhe pas afateve ligjore për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) do ta bëjmë certifikimin e rezultateve, ka theksuar ajo.
Duke e komentuar mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje nëse nuk do të mund të formohet qeveria e re.
Daka ka thënë se KQZ-së i pëlqeu ose jo e ka për obligim të organizojë zgjedhje kurdo që ato shpallen. Por, sipas saj, këto zgjedhje nuk do të mund të mbahen para shtatorit.