19 Janar 2025

Dade: Kosova është përparësi e përparësive

Prishtinë, 14 prill - Dinamizimi i punës për krijimin e misioneve të përbashkëta të përfaqësimit të jashtëm të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe nxitja e qeverive respektive për realizim sa më të shpejtë të marrëveshjeve të arritura, ishin çështjet kryesore të diskutimit në takimin e sotëm të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Albin Kurti, kryetar, me Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit Republikës së Shqipërisë, i cili udhëhiqej nga kryetarja Arta Dade.

Pasi shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë angazhimin dhe kontributin e Shqipërisë për Kosovën dhe kombin shqiptar në përgjithësi, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, çmoi bashkëpunimin që këto dy komisione kanë me njëri-tjetrin, ndërsa potencoi angazhimin për kultivimin dhe intensifikimin e mëtejmë të tij në të ardhmen.

Duke folur rreth marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e përfaqësimit të përbashkët, kryetari Kurti shtroi nevojën e zbatimit të plotë të saj, e cila, sipas tij, është në favor të të dyja shteteve.
 
“Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë nuk kanë disonancë për asnjë çështje në politikën e jashtme. Prandaj, sa i përket qëndrimeve, tezave dhe ideve, por edhe sa i përket organizimit të shërbimit të jashtëm, ambasadave dhe konsullatave, ne do të mund të bashkëpunojmë në të gjitha vendet dhe kësisoj të jemi komplementarë, edhe duke u afruar, por edhe duke kursyes buxhetin”, theksoi Kurti.

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendin të Shqipërisë, Arta Dade, ndërkaq, çdo takim të kësaj natyre e konsideroi një hap të rëndësishëm në konsolidimin e këtyre marrëdhënieve.

Ajo tha se këto komisione kanë një rol të rëndësishëm në proceset integruese euro-atlantike të Kosovës e të Shqipërisë, si dhe për përkujdesjen e artikulimit të politikave të përbashkëta lidhur me shqiptarët kudo në rajon, në mënyrë që ata të jenë faktor stabiliteti e të bashkëpunimit të gjithanshëm.

Ajo shtroi nevojën e mbikëqyrjes së qeverive përkatëse të Kosovës e të Shqipërisë, në realizimin e përmbushjes së angazhimeve që ato kanë marrë.  

“Të mbështesim ministritë përkatëse lidhur me një sërë hapash që janë hedhur, lidhur me krijimin dhe shtimin e konsullatave për veprime të përbashkëta për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në botë”, theksoi Dade.

Sa i përket mbështetjes që Tirana zyrtare i ka dhënë dhe i jep Kosovës, Dade tha se Shqipëria do të bëjë të përpjekje maksimale që Kosova të jetë pjesë e të gjitha nismave rajonale dhe të avancojë në agjendën e saj evropiane dhe euro-atlantike.

 “Kosova është përparësi e përparësive. Jemi avokatët tuaj më të mirë”, theksoi Dade.  

Në vazhdim, anëtarë të dy komisioneve homologe u angazhuan edhe në çështje të tjera që lidheshin me marrëdhëniet ndërmjet të dyjave vendeve, si dhe për nevojën e një interesimi më të madh në raport me mërgatën shqiptare.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe paralajmërimeve për themelimin e Gjykatës Speciale, negociatave me Serbinë dhe qasjes që mund të ketë qeveria e re serbe në raport me Kosovën.

U diskutua gjithashtu, edhe për zhvillimet e fundit ndërkombëtare dhe mundësinë e ndikimit të tyre në rajonin tonë.

Delegacioni i nga Kuvendi i Shqipërisë po qëndron në Kosovë me ftesë të kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti.

Në këtë rast, znj. Dade ftoi Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës për vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)