Daçiç sot qëndron në Kosovë
Prishtinë, 19 tetor - Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, do të qëndrojë sot në Kosovë, në një vizitë që nga autoritetet e Prishtinës u cilësua me karakter fetar.
Gjatë kësaj vizite ai pritet të qëndrojë në manastirin mesjetar të Graçanicës, disa kilometra larg Prishtinës.
Dhjetë ditë më parë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçic, tha se do të vizitojë Kosovën, për të mbështetur pjesëmarrjen sa më të gjerë të serbëve në zgjedhjet për pushtetin komunal që mbahen më tre nëntor.
Ai qe shprehur i bindur se nuk do të ketë pengesa pas bisedimeve që u zhvilluan me 7 tetor në Bruksel disa ditë pasi që Prishtina nuk i kishte dhënë leje të qëndrojë në Kosovë.
Në prill të këtij viti kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian.
Marrëveshja parasheh edhe përfshirjen e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe për herë të parë në zgjedhjet për pushtetin komunal.
Nga rreth 30 subjekte politike nga radhët e komunitetit serb që duan të marrin pjesë në zgjedhje, Beogradi mbështetë Nismën Qytetare serbe.
Pavarësisht karakterit fetar, kryeministri serb pritet të bëjë thirrje për përfshirje të serbëve në zgjedhjet komunale pas të cilave, sipas marrëveshjes, do të krijohet bashkësia e komunave serbe me një shkallë të gjerë autonomie.