Daci letër Sejdiut, kërkon koalicion LDD me LDK
Prishtinë, 11 shkurt - LDD ka vlerësuar se është koha që të ofroj një zgjidhje, një alternativë dhe sot një nga alternativat e mundshme të daljes nga kriza e thelluar është, që kryetarit të LDK-së dr.Fatmir Sejdiut i kam dërguar një letër, ofertë për bashkëpunim, ofertë për një koalicion parazgjedhorë, konform qëndrimeve tona reale dhe duke respektuar rrugën e përbashkët që kemi pas një kohë të gjatë. Nuk kam dashur që ti dërgoj letër publike, por i mbetet kryetarit të LDK-së të vendosë se a dëshiron ta bëjë publike a jo, ngase nga LDD e ka atë leje. LDD nuk e ka në koncept të luaj lojëra. tha lideri i LDD-së akademik Nexhat Daci në konferencën për media të këtij subjekti.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë akademik Nexhat Daci, nëpërmjet një konference për media, shprehu qëndrimet e LDD-së lidhur me zhvillimet aktuale politike në Kosovë, me pakënaqësitë e shprehura dhe protestat e vazhdueshme të punëtorisë së Kosovës, në veçanti të gardianëve dhe shëndetësisë së vendit, të cilët janë paraprijës të protestave të tjera nga sindikatat të ndryshme të punëtorëve që janë paralajmëruar.
Qëllimi është se, LDD dëshiron ti ndaj preokupimet dhe brengosjen e vet, me qytetarët e Kosovës. Lirisht mundë të themi, që koalicioni qeverisës PDK-LDK i ngjan një koalicioni për interesa të thjeshta grupore dhe individuale, në një shtet të vogël dy milion banoresh, por që e stërzgjat një proces shumë të lavdëruar zgjedhorë për qeverisjen lokale, i cili gati gjysmëviti do ti marr Kosovës, në kohën kur sfidat që paraqiten para Kosovës janë vërtet të mëdha, serioze dhe të rrezikshme. Për tërë këtë kohë partitë në koalicion nuk kanë pasur qëllim mbarëvajtjen e shtetit, por përkundrazi secila ka shikuar se çfarë ti bëjë njëra tjetrës, deri në momentet e gjakosjes së partnerëve për shtetin u shpreh kryetari i LDD-së.
Duke shprehu qëndrimet e tij, në cilësinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, lidhur me ngërçin në të cilin ndodhet Kosova, lideri akademik Daci u shpreh:
Të brengosur me situatën që shtyllat kryesore të shtetësisë janë në ngërç, kur policia speciale e Kosovës, si institucioni më i besueshëm dhe që e kemi vlerësuar si më të mirin institucion në Kosovë, shpall pa-dëgjueshmëri dhe proteston.
Kur elementi kyç i një populli siç është shëndetësia vazhdimisht është në rrugë, kur ekonomia është e ngulfatur në plotëni me karantinizimet e ndryshme, siç është mos realizimi i marrëveshjes së CEFTA-së, kur për një vit janë mbyllur më tepër se 1000 ndërmarrje fal politikës jo zhvillimore të qeverisjes e cila i favorizon vetëm bizneset që janë politikisht të lidhura me qeverisjen, kur edhe në dy vite shtetësi, tërë kapitalin që e ka kesh Kosova eksportohet duke i ndihmuar ekonomitë e rajonit dhe duke mos ndihmuar ekonominë vendore, atëherë shtrohet çështja se a duhet një parti parlamentare të jetë e heshtur për këto çështje, prandaj jemi munduar deri sot, që LDD të tregoj nismat e veta dhe e hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë parlamentare por edhe ato jo parlamentare.
Kryetari Daci tha para gazetarëve se, LDD asnjëherë nuk ka parashtruar barriera dhe kufizime, se me ke do të bashkëpunoj, por ka thënë se është e hapur me të gjitha partitë politike, me shoqërinë civile, shoqërinë akademike, në mënyrë që ti japim perspektivë konkrete qytetarëve të Kosovës, për një shtet normal, funksional dhe demokratik.
Lideri i LDD-së akademik Nexhat Daci në fund të konferencës, e bëri të ditur se, në cilësinë e kryetarit të LDD-së i ka dërguar një letër kryetarit të LDK-së dr.Fatmir Sejdiut për një bashkëpunim të mundshëm në mes dy subjekteve LDD LDK.
Lidhur me këtë letër të nisur nga kryetari i LDD-së për atë të LDK-së akademik Daci u tha: LDD ka vlerësuar se është koha që të ofroj një zgjidhje, një alternativë dhe sot një nga alternativat e mundshme të daljes nga kriza e thelluar është, që kryetarit të LDK-së dr.Fatmir Sejdiut i kam dërguar një letër, ofertë për bashkëpunim, ofertë për një koalicion parazgjedhorë, konform qëndrimeve tona reale dhe duke respektuar rrugën e përbashkët që kemi pas një kohë të gjatë. Nuk kam dashur që ti dërgoj letër publike, por i mbetet kryetarit të LDK-së të vendosë se a dëshiron ta bëjë publike a jo, ngase nga LDD e ka atë leje. LDD nuk e ka në koncept të luaj lojëra.