16 Janar 2025

D4D: KQZ-ja shkel ligjin, OSBE-ja vështron

Prishtinë, 15 maj - Në vazhdën e përgatitjeve për zgjedhjet komunale, KQZ ka filluar të revidojë aktet nënligjore që sigurojnë zbatimin e ligjit dhe të kushtetutës në realitet. Këtë javë, KQZ ka vendosur që shqyrtimin e rregullave të saj ta bëjë në një punëtori jashtë Prishtinës.

Sipas ligjit, të gjitha diskutimet e KQZ-së janë publike dhe Instituti Demokraci për Zhvillim ka planifikuar që këto diskutime t'i vëzhgojë. I vetmi rast kur këto diskutime janë të mbyllura është kur diskutohet për çështje të personelit, që qartazi nuk është rasti këtë herë.

Për shkak se diskutimi nuk ndodh në mbledhje të rregullt, D4D është detyruar që të parashtrojë kërkesë për të monitoruar takimin e radhës që do të mbahet më 14 -17 maj 2013 në Pejë.

Temë diskutimi do të jetë ndryshimi dhe plotësimi i disa rregullave zgjedhore të KQZ-së. Kërkesa e D4D bazohet në Nenin 63.9 të L.Z.P. që shprehimisht thotë se, “Takimet e KQZ-së janë të hapura për publikun, përveç kur diskutohet për çështje lidhur me personelin e KQZ-së dhe SKQZ-së”.

Kërkesa e D4D është shqyrtuar në mbledhjen e KQZ-së e mbajtur me datën 13/05/2013 dhe nuk është aprovuar. Pro pjesëmarrjes së D4D kanë votuar përfaqësuesi i VV dhe AKR, kryetarja ka abstenuar (një ndër rekomandimet e D4D dhe koalicionit të OJQ-ve Forumi Reforma për reformën zgjedhore ka qenë që kryetares së KQZ-së ti hiqet e drejta për të abstenuar), përfaqësuesi i LDK-s në momentin e votimit nuk ka qenë në mbledhje sikurse edhe përfaqësuesi i AAK-së dhe njëri përfaqësues i PDK-së. Kundër pjesëmarrjes së D4D në takimin e radhës së KQZ-së në Pejë kanë votuar përfaqësuesi i PDK-së, Ilir Gashi dhe disa nga përfaqësuesit e pakicave joshqiptare në KQZ.

Së pari, nuk është dashur të hedhet në votim fare një çështje ku e drejta ligjore është e qartë. Së dyti, nëse ka pasur bazë ligjore për të mbyllur takimin, kjo është dashur të theksohet, që nuk është bërë. Realisht, duhet të konkludohet që mbyllja e këtij takimi është bërë me anë të votës, por në shkelje të ligjit. Ky trend është vazhdimësi e shumë votimeve të KQZ-së, si p.sh. certifikimi i subjektit politik të komunitetit kroat. Shkelja e ligjit nuk i bën përshtypje anëtarëve të “pavarur” të KQZ-së, të cilët e shohin veten si të paprekshëm dhe mbi ligjin.

Nuk është hera e parë që KQZ diskuton çështjet më të rëndësishme në workshope, që i mbyll ato pa të drejtë, që për këtë ka bekimin e heshtur të OSBE-së, dhe që refuzon pjesëmarrjen e publikut në kundërshtim me ligjin.

Shkelja e ligjit nga KQZ-ja është bërë diçka e rëndomtë dhe si duket nuk i bën askujt përshtypje. Gati dy vite ka zgjatur procesi i zgjedhjes së kryeshefit të SKQZ-s, edhe pse me ligj ushtruesi i detyrës duhet të qëndrojë vetëm tre muaj. Në fund të kësaj shkelje flagrante, KQZ-ja në një proces të kontestuar ka zgjedhur kryeshefin e KQZ-së.

Jo vetëm që reformat nuk janë bërë, por Kosova hyn në proces të ri zgjedhor me arbitër të cilit nuk i besohet dhe i cili më shpesh e shkel ligjin sesa që e respekton atë. Shpresat që kjo KQZ do të organizojë zgjedhje të mira çdo ditë e më shumë veniten e këtë herë pasojat mund të jenë më serioze se bllokada 6-mujore e institucioneve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)