D+ kërkon nominimin e më shumë grave për kryetar të komunave
Prishtinë, 21 gusht - Në prag të afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet komunale të vitit 2017, Democracy Plus (D+) fton partitë politike që të nominojnë më shumë gra si kandidate për kryetar të komunave dhe anëtare të kuvendeve komunale.
Valmir Ismaili Drejtor Ekzekutiv i D+ ka thënë së në zgjedhjet komunale të vitit 2009, vetëm 11 nga 205 (5%) kandidatët për kryetarë të komunave kanë qenë gra.
Në zgjedhjet komunale të vitit 2013 vetëm 9 nga 224 (4%) kandidatët për kryetarë të komunave kanë qenë gra.
D+ u bën thirrje partive që përveç vendosjes së më shumë grave në listat e kandidatëve, të angazhohen në mënyrë afatgjatë për promovimin e grave në politikë përmes masave si:
1. Nominimi i grave në pozita udhëheqëse të subjektit politik, në borde dhe institucione publike, trupa menaxhuese të zgjedhjeve, dhe pozita të tjera të nominuara nga subjektet politike.
2. Krijimi i ambientit për promovimin e gruas në parti përmes ndryshimeve potenciale të statuteve partiake, krijimit të programeve që mbulojnë çështjet me interes për gratë, financimit të aktiviteteve të fushatës për gratë kandidate dhe aplikimit të kuotave vullnetare.
3. Auditimi gjinor i anëtarësisë së partisë, përcaktimi numrit të burrave dhe grave në organet udhëheqëse të partisë dhe në listën e kandidatëve, dhe rekrutimi i vazhdueshëm i grave në parti.
4. Promovomi dhe edukimi i vazhdueshëm i grave, ngritja e kapaciteteve të grave në menaxhim dhe lidership, ofrimi i trajnimeve për komunikim me publikun, ofrimi i rrjetëzimit për gratë anëtare, dhe edukimi i vazhdueshëm i grave votuesve.
Ismajli ka theksuar se D+ u është duke mbajtur takime dhe punëtori me parti politike me qëllim të ngritjes së numrit të kandidateve gra në zgjedhjet komunale të vitit 2017.