D+ kërkon kufizim të numrit të zëvendësministrave në dy për ministri
Prishtinë, 3 korrik - Sot bëhet një muaj nga zgjedhja e Qeverisë Hoti, brenda së cilës periudhë janë emëruar 46 zëvendësministra në kuadër të 16 ministrive. Numri i zëvendësministrave për ministri shkon nga një deri në pesë, por që ky numër pritet të rritet duke pasur parasysh që si proces nuk është përmbyllur ende.
Nga numri i përgjithshëm i zëvendësministrave të emëruar, vetëm 7 janë gra apo 15% dhe 39 burra apo 85%.
Për më tepër, vendimet e Qeverisë për emërimin e këtyre zëvendësministrave nuk janë publike, si dhe emrat e tyre nuk janë publikuar në ueb faqet zyrtare të ministrive përkatëse.
Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, LDK përmes kandidates së saj për kryeministre, ka nënshkruar Deklaratën e Zotimeve për Qeverisje të Mirë të hartuar nga Demokraci Plus.
Përmes kësaj deklarate, LDK është zotuar në kufizimin e numrit të zëvendësministrave në maksimumi dy për ministri. Ky ka qenë edhe premtim elektoral, të cilin kërkojmë nga LDK si udhëheqëse e Qeverisë që t’i përmbahet.
Kufizimi i numrit të zëvendësministrave, përveçse do të reduktojë shpenzimet financiare në këtë kohë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, ne besojmë se do të ndikojë edhe në rritje të efikasitetit të qeverisë, eliminimit të praktikës së punësimeve klienteliste, dhe vet ruajtjes së integritetit të pozitës së zëvendësministrit e cila po devalvohet nga emërimet e personave të pakualifikuar dhe mbipopullimit.
Në këtë drejtim, D+ kërkon që:
- Të mos emërohen më shumë se dy zëvendësministra për ministri;
- Mos të ketë zëvendësministra nga subjekti politik i njëjtë me ministrin;
- Të mos ketë zëvendësministra nga i njëjti subjekt politik brenda një ministrie;
- Zëvendësministrat të kenë portofol të caktuar;
- Zëvendësministrat të jenë persona me integritet të lartë profesional dhe moral;
- Të garantohet përfaqësim i barabartë gjinor për pozitat e zëvendësministrave;
- Të publikohen me kohë të gjitha vendimet për emërime të zëvendësministrave;
- Të azhurnohen të gjitha ueb faqet e ministrive me emrat dhe të dhëna biografike për zëvendësministrat.