Çollaku vazhdon takimet me diplomatë evropian
Prishtinë, 6 prill - Në vazhdën e takimeve me ambasadorë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, ministri i Integrimit Evropian z. Bekim Çollaku, ka pritur sot në takime të ndara ambasadoren e Kroacisë në Kosovë znj. Maria Kapetanoviq, ambasadorin e Austrisë z. Gernot Pfandler, ambasadorin e Sllovenisë z. Miljan Majhen si dhe shefin e Misionit në Ambasadën e Suedisë z. Henrik Nilsson.
Ministri Çollaku, ka informuar diplomatët evropian me ecurinë e tërë procesit të liberalizimit të vizave dhe ka vlerësuar se Kosova ndodhet në periudhën vendimtare sa i përket këtij procesi.
Kriteret e përcaktuara i kemi përmbushur. Tani presim vendimin meritorë që do ti mundësojë qytetarëve tanë të lëvizin pa viza në shtetet e Zonës Schengen, ka thënë ministri Çollaku gjatë këtyre takimeve.
Ai po ashtu ka falënderuar diplomatët e këtyre shteteve për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe ka nënvizuar nevojën që këto shtete mike të vazhdojnë të mbështesin tani, liberalizimin e vizave. Nga ana tjetër diplomatët evropian kanë konfirmuar qëndrimin mbështetës të shteteve që përfaqësojnë për liberalizimin e vizave për kosovarët.