Çollaku optimist për liberalizimin e vizave
Ministri i ka njoftuar studentët me prioritet e Qeverisë, ato të agjendës evropiane si dhe me reformat që po ndërmerren në kontekst të kësaj agjende.
Ne jemi duke punuar që vitin 2015 ta shndërrojmë në vit evropian për Kosovën, ka thënë ai.
Sa i përket MSA-së, ka përshëndetur miratimin e saj në Kolegjin e komisionerëve, gjë që ka thënë se i ka hapur rrugën nënshkrimit të kësaj marrëveshje gjatë kësaj vere.
Po ashtu i ka njoftuar në detaje edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe për punën që po bëjnë të gjitha institucionet në lidhje me përmbushjen e kritereve.
Ministri Çollaku ka theksuar se ekziston një mobilizim dhe një dinamikë e shtuar brenda institucioneve të vendit për të përmbushur kriteret e fundit teknike për procesin e liberalizimit të vizave duke bërë të ditur se brenda pak javësh do të dërgohet raporti përfundimtar në Bruksel për këtë proces.
Më tej ministri i është përgjigjur interesimit të studentëve për shumë çështje që lidhen me procesin e integrimit dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova përgjatë kësaj rruge.