Çollaku në Bruksel: Kosova e gatshme për liberalizimin e vizave
Bruksel, 21 janar - Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, mori pjesë sot në panelin diskutues me temë Liberalizimi i vizave për Kosovën-Lëvizja nga izolimi në integrim, i organizuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Qendra Evropiane për Politika në Bruksel (EPC).
Gjatë prezantimit të tij, para diplomatëve evropian, shoqërisë civile e mediave ministri Çollaku, shpjegoi në mënyrë kronologjike rrugëtimin e Kosovës drejtë përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ministri Çollaku informoi të pranishmit se ditë më parë ka dorëzuar në Bashkimin Evropian, inputin e fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve të fundit në këtë proces dhe se tani pret veprime të shpejta nga Komisioni Evropian.
Ky input përfshin të arritura dhe rezultate të qarta që janë arritur në tre muajt e fundit nga institucionet kosovare në adresimin e rekomandimeve të fundit të procesit të liberalizimit të vizave, për të cilat presim vlerësim pozitiv nga institucionet e BE-së. Ne presim që vizita e paralajmëruar e komisionerit të BE-së Dimitris Avramopoulos në Kosovë të përmbyllet suksesshëm dhe ti hap rrugën procedurave për heqjen e vizave për kosovarët. Kjo duhet të ndodh për faktin se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara me udhërrëfyes dhe është plotësisht e gatshme për këtë proces, ka thënë ministri i integrimit Evropian.