Clinton sovraniteti i Kosovës nuk preket dhe as nuk diskutohet
"Ashtu siç ka thënë kryeministri Thaçi sot dhe presidenti Tadiq dje, disa çështje, siç është statusi, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk do të diskutohet. Mirëpo liderët e të dy vendeve duhet ti qasen dialogut me besim të mirë dhe duke respektuar shqetësimet e njëri tjetrit. Këto bisedime paraqesin një mundësi për të adresuar nevojat e menjëhershme dhe për ti vëne përpara objektivat reciprokisht të dobishme."
Kryediplomatja amerikane, pas takimeve me krerët shtetërorë në Prishtinë ka shprehur inkurajimin e SHBA-së për nisjen e dialogut praktik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të ishte në dobi të të dyja shteteve.
Unë dhe kolegët e mi do të takohemi me zyrarërt e BE-së për të struktuar këtë dialog. Ekzistojnë shumë pyetje për të cilat duhen përgjigje, dhe ne do ti adresojmë bashkë me Prishtinën, Beogradin e Brukselin, ka thënë Clinton e pyetur për rolin e SHBA-së në procesin e dialogut.
Ajo ka thënë se është në interesin e Kosovës që procesi i dialogut në nisë sa më shpejtë, dhe SHBA-të do të luajnë rol mbështetës në dialog.
Po ashtu sipas saj Kosova dhe Shtete e Bashkuara kanë qenë partnerë gjatë luftës dhe përmes udhëtimit të Kosovës drejt pavarësisë.
Që nga fillimi Shtete e Bashkuara kanë mbështetur të drejtën e Kosovës për të ekzistuar si një shtet Sovran dhe i pavarur në kuadër të kufijve të vet.
"Ne e kemi mirëpritur vendimin e GJND-së, vendim që ka afirmuar të drejtën juridikë të Kosovës që të shpall pavarësinë. Tani do të vazhdojmë që të mbështesim Kosovën që ta kryej punën e vështirë që të krijoj një vend stabil përparimtar dhe demokratik që është në paqe me të gjithë fqinjët dhe është i integruar gjithnjë e më tepër në komunitetin euroatlantik. Për këtë qëllim Shtetet e Bashkuara janë të inkurajuara që të nxisin dialogun që do të zhvillohet në mes të Kosovës dhe Serbisë i cili ofron që të dy vendet të zgjidhin çështjet teknike, ti tejkalojnë pengesat dhe të jenë fqinjë të mirë", ka theksuar Clinton .
Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, pasi që i shprehu sekretares Clinton mirëseardhje, e vlerësoi rolin historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të saj personalisht për Kosovën.
Shpreh respektin dhe mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për ShBA-të dhe për Ju personalisht. Vizita juaj është konfirmim i politikës konsekuente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar Kosovën dhe për thellimin e marrëdhënieve tona, theksoi z. Krasniqi.
Ai e informoi Sekretaren Clinton për situatën e përgjithshme në vend, për konsolidimin e stabilitetit politik dhe të sigurisë, për thellimin e reformave, si dhe për procesin e pajtimit dhe mirëkuptimit ndëretnik.
Gjatë takimit, U.D i Presidentit Krasniqi, tha se pavarësia e Kosovës ka kontribuar në forcimin e stabilitetit politik dhe e të sigurisë jo vetën në Kosovë, por edhe në të gjithë rajonin, duke përmendur këtu edhe legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Kosovën.
Gjithashtu, U.D i Presidentit të vendit, dr. Krasniqi shprehu gatishmërinë e institucioneve të vendit për dialog me Republikën e Serbisë për çështje të interesit të përbashkët, që do të përmirësonin jetën praktike të qytetarëve.
Sipas tij, koordinimi me SHBA-të në të gjitha proceset do të vazhdojë duke e thelluar miqësinë e sinqertë.
Ndërkaq, Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton, konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.