Clinton e Ashton arritën në Kosovë
Prishtinë, 30 tetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sonte në Aeroportin e Prishtinës, sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonjën Hilary Clinton dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, baroneshën Catherine Ashton.
Sekretarja Clinton dhe baronesha Ashton u pritën me ceremoni nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Presidentja Jahjaga do të zhvillojë takim zyrtar me sekretaren amerikane të Shtetit, Hilary Clinton dhe me baroneshën Ashton, të mërkurën, më 31 tetor.
Kjo vizitë është cilësuar si historike, kurse shefja e diplomacisë amerikane pritet t’i kërkojë Serbisë dhe Kosovës që t’i tejkalojnë dallimet e hidhura dhe të integrohen plotësisht në BE dhe në NATO.
Sekretarja amerikane pas Prishtinës do të udhëtoj drejt Tiranës, ku pritet një agjendë e ngjeshur e shoqëruar me një fjalim në Parlamentin Shqiptar me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar.