Cliff: Zgjedhjet këtë herë do të jenë të mbykëqyrura në mënyrë rigoroze
Prishtinë, 25 shtator - Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Ian Cliff ka deklaruar se zgjedhjet në Kosovë këtë herë do të jenë të mbykëqyrura në mënyrë rigoroze dhe nuk do të ketë tolerime nga Bashkimi Evropian nëse do të ketë manipulime.
Ai në një intervistë për RTK-në përveç partive politike ka porositur edhe bashkësinë ndërkombëtare që të koncentrohen në procesin zgjedhor në pjesën jugore të Kosovës, jo vetëm në veri.
Është mirë që të flitet për zgjedhjet edhe në jug të Ibrit sepse bashkësia ndërkombëtare po preokupohet, po humb kohë me atë se çfarë po ndodh në veri.\"
\"Ka pasur një lloj tolerancë të sjelljeve të pahijshme në zgjedhjet në të kaluarën, kemi qenë të vetëdijshëm se Kosova është vend i ri, dhe ka pasë një tendencë që tu japin partive hapësirë për të arsyetuar manipulimet\", ka theksuar Cliff.
Tani sipas tij nuk ka hapësirë për këtë. Këto zgjedhje lokale janë të parat qysh prej fillimit të procesit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, dhe do të vëzhgojmë sjelljen e partive politike në mënyrë rigoroze.
\"Nëse ka manipulime ne do të mbështesim një projekt që organizatat qeveritare të mundësojnë ndjekje penale nëse ka akuza për keqpërdorime të tilla. Unë e kuptoj se në zgjedhjet e përgjithshme ka pasë një numër të rasteve, por janë proceduar shumë ngadalë. Nuk mund të hyni në BE pa zgjedhje demokratike. Kjo është kusht themelor për hyrje në BE, tha Cliff.
Ai ka shprehur mbështetje për privatizimin e PTK-së. ndërsa ka quajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, lajm i keq, nëse këto bëhen me sistemin e vjetër zgjedhor.