Cliff: Serbia i di kushtet për anëtarësimin në BE
Prishtinë, 20 nëntor - Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, thotë se Londra ia ka përsëritur Serbisë kushtet që duhet t`i plotësojë për të fituar kandidaturën për BE.
Për këtë, Cliff i vlerëson vendimtare edhe dy takimet mes palës kosovare dhe serbe që pritet të mbahen në Bruksel deri më 9 dhjetor.
Ambasadori britanik shpreson që Beogradi deri atëherë të pajtohet për pjesëmarrjen e Kosovës në forume rajonale.
Mendoj se tani i takon Serbisë që të zbatojë lirinë e lëvizjes, çështjen e doganave
të gjithë e dimë këtë çështjen e menaxhimit të integruar të kufirit në pikat 1 dhe 31, ka thënë ai në një intervistë për Express.
Kur është fjalën për menaxhimin e integruar të kufirit, si një nga temat më të përfolura ditëve të fundit në procesin e bisedimeve, Cliff thotë se nuk e di nëse do të ketë një marrëveshje, por është i sigurt se BE do ta bllokojë Serbinë nëse nuk lëviz në çështjen e bashkëpunimit rajonal, që në radhë të parë nënkupton pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale.
Barrikadat dhe bllokadat që i kanë bërë serbët në Veri tash e sa javë, Cliff thotë se do të merren parasysh po ashtu kur të vendoset për Serbinë.
Kosova është njësi e veçantë doganore dhe Serbia e njeh si të tillë. Ju keni doganierë në kufij, kështu që kjo nuk do duhej të ishte çështje
ka thënë Cliff. Nëse do të kemi një marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufijve, apo se si do të reagojnë njerëzit në barrikada, nuk e di. Por, natyrisht ne presim që Serbia të bëjë diçka, ti inkurajojë ata që të ndryshojnë qasjen e tyre.
Ambasadori Cliff ka bërë edhe një sqarim edhe rreth deklaratave të ambasadorit britanik në Beograd, të cilën mediat serbe e kanë cituar duke përmendur Ahtisaari Plus për Veriun.
Këto vërtet janë gjepura. Mediat e kanë keqkuptuar këtë. Ai asnjëherë nuk ka folur për \"Ahtisaari Plus\". Ai më ka siguruar dhe unë e kam shikuar se çfarë ka thënë ai. Ky ka qenë lajm kryesor në Beograd, plotësisht i shtrembëruar nga ajo çfarë ka thënë ai, ka sqaruar Cliff.