Cliff: Denominimi në favor të Kosovës
Prishtinë, 23 shkurt - Ambasadori britanik, Ian Cliff, nuk ka asgjë kundër fusnotës që do të përdoret në denominimin e Kosovës, nëse arrihet marrëveshja në Bruksel.
Në fakt, diplomati britanik është shqetësuar nga titujt e medieve që një ditë më parë e kanë vendosur si kundërshtar të Rezolutës 1244 dhe të fusnotës.
Ian Cliff ka thënë se referimi në Rezolutën 1244 është kompromis, por denominimi e ka mbështetjen e Londrës, si një zgjidhje e përkohshme që do të mundësojë veç të tjerash edhe avancimin e Kosovës në raport me BE-në.
Ambasadori ka përmendur marrëdhëniet kontraktuale, marrëveshjen për tregti dhe procesin e stabilizim asocimit, si procese që duhet t`i mundësohen Kosovës, tash pas gjetjes së formulës së prezantimit.
Cliff ia ka kujtuar Serbisë se Rezoluta 1244, aq e dashur nga Beogradi, nuk i lejon Serbisë të mbajë zgjedhje në veri dhe i obligon autoritetet serbe që të heqin strukturat paralele të sigurisë nga veriu i Kosovës.
Ambasadori pret që një ditë të ketë dialog me D të madhe, ku do të adresoheshin problemet politike, por jo në të ardhmen e afërt.
I pyetur se çfarë e bën të mirë këtë marrëveshje për Kosovën, ambasadori Cliff u përgjigj: Sepse mundëson pjesëmarrjen e Kosovës në forume pa UNMIK-un. Në këtë mënyrë kjo e zhvillon pavarësinë tuaj.
Por më e rëndësishmja është se kjo u mundëson vendeve si Britania e Madhe, që jemi mbështetës të mëdhenj të Kosovës në BE, që ta marrim formulën dhe ta përdorim atë tek vendet anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë dhe t`i bindim se BE-ja duhet të ketë marrëdhënie kontraktuale me Kosovën.