Cliff: Çështja e koalicioneve u takon partive politike
Prishtinë, 12 qershor - Ian Cliff, ambasadori i Britanisë në Kosovë, gjatë një takimi që ka pasur me Lutfi Hazirin tha se zgjedhjet në Kosovë ishin fer dhe të lira.
Ndërkaq për koalicionin LDK-AAK e NISMA tha se nuk është çështje e tij që të komentoj ose të përzihet në atë punë. Ajo u takon partive politike kosovare, tha Cliff.
Lutfi Haziri ka pritur në takim ambasadorin Ian Cliff me të cilin ka biseduar për zhvillimin ekonomik në Gjilan, rregullimin e infrastrukturës, donacionet ndërkombëtare dhe integrimin e të gjitha komuniteteve.
Cliff, duke komentuar procesin zgjedhor, tha se zgjedhjet ishin fer e të lira.
I pyetur nga gazetarët se si e komenton koalicionin LDK-AAK e NISMA, ai tha se është herët të komentohet sepse janë duke pritur rezultatin e zgjedhjeve dhe certifikimin e tyre.
Partitë politike kosovare mund të bisedojnë mes veti e të merren vesh, por kjo nuk është çështje e jona sepse ne nuk përzihemi në këtë proces, tha Cliff.
Kurse Lutfi Haziri tha se partitë politike të koalicionit janë marrë vesh dhe kanë nënshkruar marrëveshjen.
Ne nuk kemi pasur nevojë të kemi ndërmjetësimin ndërkombëtar pavarësisht rolit të madh që kanë shtetet e Kuintit. Marrëveshja është bërë gjithnjë duke e respektuar të drejtën kushtetuese. LDK kësaj radhe ka bërë një ofertë qytetare për ta nxjerrë Kosovën nga kriza. LDK ka bërë kompromise të dhimbshme tash e 15 vite, tha Haziri.