19 Maj 2024

Cliff: Asociacioni, në përputhje me Kushtetutën

Prishtinë, 12 mars - Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë se asociacioni i komunave serbe nuk është i rrezikshëm.

Në një intervistë për “Epokën e re”, ai ka thënë se ky asociacion është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Përderisa asociacioni i komunave Serbe nuk dëmton funksionimin e Kosovës si shtet, atëherë ai nuk është i dëmshëm apo i rrezikshëm.

Në të vërtetë, është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Një asociacion i komunave serbe në Kosovë nuk do të jetë në gjendje ta bllokojë qeverinë në nivel shtetëror në Prishtinë, ashtu siç Republika Srpska ka bllokuar qeverinë në nivel shtetëror në Sarajevë”, ka thënë Cliff, duke shtuar se një gjë e mirë në lidhje me asociacionin e propozuar të komunave serbe është se kjo nuk do të përfshijë vetëm veriun.

“Pra, kjo mund të jetë një mënyrë e mirë për zgjidhjen e veriut, pa ngjyrime të ndarjes”, ka thënë Cliff.
Ambasadori Cliff ka thënë se perspektiva evropiane e Kosovës është shumë më e qartë se që ishte një vit më parë. “Nuk mendoj se është e drejtë të thuhet se BE-ja është e padrejtë ndaj popullit të Kosovës.

Populli i Kosovës ka përfituar jashtëzakonisht nga angazhimi dhe programet e BE-së dhe vendet e BE-së, duke përfshirë edhe vendin tim. Perspektiva evropiane e Kosovës është shumë më e qartë se që ishte një vit më parë. Megjithatë, unë nuk i kuptoj disa frustrime”, ka thënë Cliff, duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve qeveritarë se BE-ja po është e padrejtë në raport me Kosovën.


Ai ka thënë se dobësitë më të mëdha në Kosovë janë në kapacitetet e shërbimit civil dhe të sundimit të ligjit.

“BE-ja përcjell efektet në çdo ministri të Qeverisë së Kosovës. Disa ministri kanë disa zyrtarë të përgatitur mirë për t\'u marrë me kërkesat e BE-së, por shumica jo. Shumë ministri varen nga dy ose tre njerëz për t\'u marrë me agjendën e BE-së. Kjo nuk është e qëndrueshme.

Në sundimin e ligjit, në qoftë se Kosova nuk mund ta forcojë gjyqësorin dhe të merret me disa raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar që kanë lulëzuar këtu, do të jetë shumë e vështirë për të përparuar në rrugën drejt BE-së”, ka thënë Cliff.

Megjithatë, ai ka thënë se për këta pesë vjet Kosova ka arritur shumë.

“Kosova ka nisur dialogun për vizat me BE-në dhe është afër nisjes së negociatave për MSA-në. Pra, ka shumë gjëra pozitive”, është shprehur Cliff    
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)