17 Janar 2025

Çka mund të mësojë Kosova nga zgjedhjet në Shqipëri

Prishtinë, 10 korrik - Demokracia në Veprim (DnV) ka organizuar tryezën me temën “Zgjedhjet në Shqipëri - Çka mund të mësojë Kosova”, ku morën pjesë përfaqësues të subjekteve politike, shoqërisë civile, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizatave ndërkombëtare.

Në hapjen e kësaj tryeze, udhëheqësi i DnV, Ismet Kryeziu, theksoi se me mbështetjen e OSBE-së në Kosovë, DnV dërgoi tetë vëzhgues afatshkurtër, katër prej tyre në Fier, dhe katër të tjerë në Tiranë.

Ndërkohë, Zëvendës Drejtori i Programit të Zgjedhjeve të OSBE-së, Bujar Basha, theksoi që OSBE beson që shoqëria civile mund të jap një kontribut të veçantë për avancimin e procesit zgjedhor.

Gjatë kësaj tryeze është prezantuar raporti i DnV-së mbi mësimet e nxjerra nga vëzhgimi i zgjedhjeve në Shqipëri.

Koordinatori i DnV-së, Dardan Berisha, tha në mes të tjerash që procesi i votimit kishte vijuar në mënyrë të rregullt në të gjitha qendrat e votimit të mbuluara nga vëzhguesit e DnV.

Ai gjithashtu foli për pilot-projektet për përdorimin e teknologjisë, duke theksuar se nuk duhet të krijohen obligime ligjore për KQZ-në që të përdorë teknologji zgjedhore për identifikim apo numërim të fletëvotimeve, nëse nuk i është dhënë KQZ-së kohë e mjaftueshme për planifikim dhe testim të këtyre teknologjive.

Gjithashtu, motivi për përdorimin e teknologjisë nuk duhet të jetë vetëm për të adresuar problemet e parregullsive zgjedhore, sepse mund të kemi parregullsi edhe nëse e përdorim teknologjinë.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Alma Lama, ngriti çështjen e fotografimit të fletëvotimeve dhe rritjen e transparencës së procesit për numërim të votave, nëse fletëvotimet skanohen dhe shfaqen në ekrane televizive.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Bojken Abazi, përmendi nevojën për siguri gjatë procesit zgjedhor në Kosovë, në mënyrë që të iu lejohet votuesve të votojnë në mënyrë të rregullt.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Halit Krasniqi, theksoi se rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri kanë treguar se më nuk kemi parti të ndara në baza rajonale, dhe përmendi kulturën politike të pranimit të rezultateve të zgjedhjeve në Shqipëri. 

Në panelin diskutues, ishin të ftuar edhe anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët gjithashtu kishin vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri.

Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, përmendi disa mësime të nxjerra nga vëzhgimi i zgjedhjeve në Shqipëri, siç janë: nevoja për rritjen e numrit të qendrave të votimit për të iu mundësuar votuesve qasje më të afërt në vendvotime dhe përgatitja profesionale e KQZ-së në Shqipëri për administrim të procesit zgjedhor dhe nxjerrje të rezultateve.

Duke folur për përparësitë dhe mangësitë e numërimit të votave në nivel rajonal, Krasniqi theksoi se është më mirë të bëhet numërimi në nivel rajonal, për shkak që komisionerët në vendvotime janë të lodhur nga dita e zgjedhjeve, dhe nuk janë as fizikisht të aftë për të numëruar votat në mënyrë të rregullt.

Ai pranoi se qendrat rajonale të numërimit mund të vonojnë nxjerrjen e rezultateve, mirëpo për të është më shumë e rëndësishme që rezultatet të dalin të sakta, se të dalin në mënyrë të shpejtë e të gabuar. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)