Çitaku: Viti 2011 është vit i integrimit Europian
Prishtinë, 8 mars - Ministrja e Integrimit Europian, Vlora Çitaku ka realizuar një takim me anëtarët e Komitetit Punues për Integrim Europian të Qeverisë së Kosovës. Qëllimi i takimit ishte diskutimi i aktiviteteve të agjendës Europiane për vitin 2011.
Çështjet e diskutuara ishin liberalizimi i vizave, marrëveshja tregtare, Dialogu i Procesit të Stabilizim Asociimit 2011, Plani i Veprimit i Partneritetit Europian 2011 dhe Instrumenti i Para Anëtarësimit.
Në takim u konkludua se progresi i arritur deri me tani nuk duhet të jetë impuls për vetëkënaqësi por për zbatimin edhe më rigoroz të agjendës Europiane.
Ministrja e Integrimit Europian, Vlora Çitaku, tha: Viti 2011 është vit i integrimit Europian. Duke analizuar agjendën Europiane të këtij viti, dikush mund të thotë se do të jetë vit përplot sfida unë them do të jetë vit përplot mundësi. Zbatimi rigoroz i kritereve në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave do të jetë prioritet numër një i Qeverisë gjatë vitit 2011.
Gjatë takimit u miratuan 10 prioritete kyçe për integrim Europian në vitin 2011 dhe draft Plani i Veprimit për Partneritetin Europian. Këto dy dokumente do të aprovohen në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
Komitetit Punues për Integrim Europian është forum i cili udhëhiqet nga Ministrja e Integrimit Europian dhe marrin pjesë udhëheqës më të lartë administrativ të institucioneve shtetërore. Roli i takimeve të Komitetit Punues është të siguroj koordinim të mirëfilltë të agjendës Europian në nivelin më të lartë administrativ.
Komiteti do të jetë organi koordinues shtetëror në nivelin e Sekretarëve të Përgjithshëm të ministrive dhe Kryesueseve të organeve shtetërore, të cilat, brenda spektrit të funksioneve dhe të drejtave të veta, sigurojnë bashkëpunimin e ministrive dhe organeve tjera shtetërore në çështjet që lidhen me integrimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Europian.