Çitaku: Qeveria e Kosovës mbështet Luginën e Preshevës
Preshevë, 4 nëntor Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ishte për vizitë në Komunën e Preshevës. Në kuadër të kësaj vizite Ministrja Çitaku u takua me Kryetarin e Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, dhe diskutuan për gjëndjen aktuale në Komunën e Preshevës, dhe njëkohësisht Ministrja Çitaku u njoftua për sfidat e të gjithë qytetarëve Shqipëtarë në këtë zonë.
Me këtë rast Ministrja Çitaku e siguroi Mustafën se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të mbështesë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ministrja Çitaku tha se:Jam shumë e lumtur që po e vizitoj Preshevën, për herë të parë në cilësinë e Ministres së Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ju falemnderit shumë për mikpritjen.
Me këtë rast dua edhe një herë të theksoj se qeveria jonë është e vetëdijshme për situatën e Shqiptarëve në komunën tuaj dhe se ne do ta bëjë të pamundurën që në çdo aspekt të ndihmojmë dhe përkrahim qytetarët tuaj. Dua ta dini se nuk jeni vetëm.
Në anën tjetër Kryetari i Komunës së Preshevës, Z. Ragmi Mustafa e falemnderoi Ministren Çitaku për vizitën e saj, e përuroi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale dhe e falënderoi edhe një herë për mbështetjen dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj Shqiptarëve të komunës së Preshevës.
Në këtë udhëtim, Ministrja Çitaku poashtu vizitoi edhe shkollën fillore Selami Hallaçi ku bëri një donacion simbolik të librave shkollor për nxënësit e kësaj shkolle dhe me këtë rast bëri publik zotimin e Qeverisë së Kosovës për financimin e themelimit të një Bibloteke për qytetarët e kesaj zone.
Mëpastaj, Ministrja Çitaku përfundoi vizitën e saj me një takim me të rinjtë shqiptarë nga shoqëria civile e kësaj treve.