Çitaku: I kemi përmbushur kriteret
Prishtinë, 28 mars - Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ka deklaruar se institucionet e Kosovës i kanë zbatuar të gjitha kriteret që dalin nga plani për liberalizimin e vizave.
Jemi të bindur se zbatimi i kritereve për liberalizim të vizave është në nivelin e kënaqshëm. Për të qenë më konkret, ne mendojmë që sa iu përket nevojave që burojnë nga plani për liberalizim të vizave i kemi zbatuar të gjitha kriteret dhe të gjithë indikatorët tregojnë progres të konsiderueshëm, është shprehur Çitaku në një intervistë për Epokën e re.
Në këtë kontekst, Çitaku ka bërë me dije se një delegacion teknik do ti vizitojë disa shtete të Zonës Shengen, përkitazi për çështjen e liberalizimit të vizave.
Në javët në vijim do të kemi një delegacion teknik i cili do ti vizitojë disa shtete anëtare të Zonës Shengen me të cilat do të zhvillohen takime të nivelit teknik, ku do të informohen për të arriturat e vendit tonë në zbatimin e kritereve për liberalizim të vizave, është shprehur Çitaku, duke shtuar se pesë vendet e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, nuk kanë qëndrim negativ ndaj liberalizimit të vizave. Ministrja e MIE-së ka folur edhe për procesin e negociatave për Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim (MSA). Ajo ka thënë se këto negociata pritet të përfundojnë deri në fund të pranverës. Sipas dinamikës së paraparë, presim që negociatat të përmbyllen deri në fund të pranverës së këtij viti, ka theksuar Çitaku.
Çitaku ka thënë se zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen këtë vit, nuk do të kenë kurrfarë ndikimi në ndryshimin e agjendës evropiane. Ajo ka bërë të ditur se rreth agjendës evropiane ka konsensus.
Pikë së pari është shumë me rëndësi mbarëvajtja e procesit zgjedhor dhe cilido që të jetë rezultati i zgjedhjeve nuk do të ketë ndonjë ndryshim në agjendën evropiane ngase është vërtetuar tashmë se agjenda evropiane është pa asnjë dyshim agjenda më konsensuale në Kosovë. Qoftë pozita, qoftë opozita, qoftë shoqëria civile kanë pasur rol konstruktiv sa i përket kësaj agjende dhe nuk shoh asnjë arsye që kjo të ndryshojë edhe në të ardhmen, është shprehur Çitaku.